Lajme Zone
Jermi i atij që e ka tepruar
PolitikëPolitiko

Jermi i atij që e ka tepruar

Alfred Lela Edi Ramën e plakën politikisht protestat flamingo dhe e rrënoi tej-e-përtej ‘revolucioni i tetorit’. Ngjarjet, që filluan të rrokulliseshin mbi njëra-tjetrën më 13 të këtij muaji, habitën më së pari Ramën, që kishte kërkuar me ngulm, aty nga fundi i gushtit në një mbledhje me të tijtë në Pogradec, një ngjarje të madhe që duhej sajuar deri nga mesi i shtatorit. Me gjasë, e dinte që SPAK

Alfred Lela

Edi Ramën e plakën politikisht protestat flamingo dhe e rrënoi tej-e-përtej ‘revolucioni i tetorit’. Ngjarjet, që filluan të rrokulliseshin mbi njëra-tjetrën më 13 të këtij muaji, habitën më së pari Ramën, që kishte kërkuar me ngulm, aty nga fundi i gushtit në një mbledhje me të tijtë në Pogradec, një ngjarje të madhe që duhej sajuar deri nga mesi i shtatorit.

Me gjasë, e dinte që SPAK do ta ulte helikopterin mbi Ergys Agasin dhe Vlora Hysenin, personazhe ngjarjesh që mund të ishin shumë për t’u menaxhuar në komunikim dhe kosto politike. ‘Ngjarja e madhe’ erdhi në formën e disa skenave mediokre pornografike, por me shumë interes publik, sepse përfshinin disa artistë të njohur shqiptarë.

U duk se Rama dhe qeveria e tij ia hodhën edhe njëherë tjetër, teksa e fshehën kokën në mjegullnajën rozë që përhapi mbi një publik të tulatur, kinematografia cheap e atyre pamjeve.

Nuk qe e thënë. Ata që u munduan të shmangnin suferinën, e panë veten në një tramundanë, një perfect storm politik ku përziheshin kreativiteti i rinisë me frustrimin popullor të çdo moshe.

Në fillim Rama u fsheh, si për të kuptuar ngjarjet apo për t’u bërë gati për to. Dita e parë ishte një përllogaritje e forcave, dita e dytë një dorëzim strategjik duke u lënë dorë të lirë mbi institucionet demonstruesve, ndërsa dita e tretë pa Ramën të shfaqej mbi gërmadhën e një kioske, që vetë e kish lënë të digjej ditën e dytë.

Për tri ditë me radhë ai u shfaq mëngjeseve si një fantazmë gri e gërmadhave, duke kërkuar empatinë popullore për pronën private dhe publike.

Pamjet ishin fantastike në kundrathënien e tyre, sepse ofronin një dramë të edramës, një kontrast të tij me veten e mëparshme. Me atë persona publica që shfaqej mbi rrënojat e ndërtesve që shembte vetë, kur sapo kish marrë mandatin e parë. Ja ku ishte, 13 vjet më vonë, mbi gërmadhat që të tjerët ia kishin djegur, duke i dhënë shenjë se të tillë dëshirë kishin edhe për ngrehinën e tij politike.

Kur e kuptoi se pak mund të fitonte me këtë taktikë, lëvizi në drejtim tjetër, si ai që, kur nuk ka forcë kërkon dialog, ose të paktën e simulon bashkëbisedimin. U bënë katër ditë tashmë që del, po herët në mëngjes, me karrige, stola dhe blloqe betoni të sajuara si ulëse, duke përsëritur ftesën për dialog.

Përgjigjja: ia kanë përmbysur të gjitha herët, duke ia kthyer se dialog do të thotë dorëheqje.

Sigurisht, jo kualifikimi politik, por intuita u ka thënë protestuesve se Rama nuk kërkon të bashkëbisedojë por të fitojë kohë dhe të amortizojë goditjen. Dredhia e tij kërkon një shteg barazie, kur qartësisht është në pozita inferioriteti. E ka kuptuar se ka polici, por jo forcë. Përdor instrumentet e ligjit, por nuk ka legjitmitet. Ka altoparlantë, por nuk ka jehonë.

Është rasti tipik i udhëheqësit autoritar në buzë të greminës. Dëshira për t’u kapur me thonj pas pushtetit i ekspozon dëshpërimin. Ky e bën të duket i dobët edhe kur tregon dhëmbët. Këta nuk i përdor më si do të donte, sepse ata përballë janë pikërisht çka ai ka thënë se i kishte në krah apo pas vetes.

I kapur në këtë çmërs, atij i duhet të rishpiket, por nuk ka sesi. Mekanizmin e rishpikjes e ka tashmë në dorë një brez i shpikur nga koha për të kaluar nga shpikja në shpikje me një lehtësi që nuk është më për Ramën dhe shpurën e tij.

Kjo e mn si asgjë. Instrumenti që e ndihmoi dikur të ngjitej, tashmë është në dorën e atyre që kërkojnë uljen e tij.

Nuk është çështje moshe apo brezi. Ai e ka tepruar me fuqinë e tij dhe teprimi ka zakonin e vjetër që kthehet kundër përdoruesit.

Nuk ka një manual daljeje nga kjo limbo.

Rama e di. Vuajtja e kësaj i jep atë jerm në të cilin po rrotullohet prej ditësh. Dikush afër tij duhet ta zgjojë para se askush të mos i mbetet afër. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm