Lajme Zone
Izraeli drejt qeverisë së re, sot presidenti i dorëzon zyrtarisht mandatin Eisenkotit! Partia arabe i jep mbështetjen, Netanyahu: Nuk luftohet Hamasi me mbështetësit e tij
BotëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Izraeli drejt qeverisë së re, sot presidenti i dorëzon zyrtarisht mandatin Eisenkotit! Partia arabe i jep mbështetjen, Netanyahu: Nuk luftohet Hamasi me mbështetësit e tij

Presidenti izraelit Isaac Herzog do t’i dorëzojë sot zyrtarisht Gadi Eisenkotit mandatin për formimin e qeverisë së re. Eisenkot ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve, përfshirë partitë arabe, ndërsa Benjamin Netanyahu ka marrë mbështetjen e vetëm 46 deputetëve

Presidenti izraelit, Isaac Herzog, ka vendosur t’i japë liderit të Yashar, Gadi Eisenkot, mandatin për formimin e qeverisë së re. Vendimi u mor në përfundim të Shabatit. Zëdhënësi i presidentit njoftoi se Eisenkot është informuar për vendimin dhe se mandati do t’i jepet zyrtarisht të dielën pasdite, në orën 17:00 (16:00 me orën shqiptare), në rezidencën presidenciale. Ceremonia do të transmetohet drejtpërdrejt. LEXO edhe...Pushteti i Netanyahu-t drejt fundit, presidenti izraelit i beson Gadi Eisenkot mandatin për formimin e qeverisë Gjatë dy ditëve të konsultimeve, forcat politike që përfaqësojnë gjithsej 67 deputetë të Knesetit i rekomanduan presidentit kandidaturën e Eisenkotit, përfaqësues i Bllokut të Ndryshimit. Koalicioni i kryeministrit në largim, Benjamin Netanyahu, siguroi mbështetjen e 46 deputetëve, ndërsa partia Judaizmi i Bashkuar, një aleancë mes dy partive ultraortodokse ashkenaze, vendosi të mos propozojë asnjë kandidat. Në njoftimin zyrtar, zëdhënësi i Herzogut bëri të ditur se presidenti kishte zhvilluar gjatë ditëve të fundit bisedime të hollësishme me disa figura të politikës izraelite, përfshirë takime me Netanyahun dhe Eisenkotin. Këtij të fundit i kishte komunikuar edhe synimin për t’i besuar formimin e qeverisë. Sipas Ligjit Themelor, Eisenkot do të ketë 28 ditë kohë për të formuar ekzekutivin e ri. Nëse do t’i nevojitet më shumë kohë, presidenti ka të drejtë t’i japë një shtyrje deri në 14 ditë të tjera. Pak përpara njoftimit të presidentit, Netanyahu publikoi një videomesazh, ku bëri thirrje për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar. “Kërkoj formimin e një qeverie të unitetit kombëtar që të përfshijë të gjitha partitë e kampit kombëtar dhe të gjitha partitë sioniste. Një qeveri që varet nga mbështetësit e Hamasit nuk do ta luftojë Hamasin. Një qeveri që varet nga ata që urrejnë judaizmin nuk do ta ruajë Izraelin si shtet hebre. Një qeveri që varet nga islamistët do ta shpërbëjë shtetin e Izraelit nga brenda, ashtu siç po ndodh në vendet evropiane”, deklaroi Netanyahu. Eisenkot iu përgjigj thirrjes së Netanyahut, duke e bërë të qartë se bashkëpunimi do të ishte i mundur vetëm nëse Likud do të shkëpuste lidhjet me aleatët e tij të ekstremit të djathtë. “Nëse Likud dhe anëtarët e tij janë papritur të interesuar për unitet dhe për një qeveri koalicioni, janë më se të mirëpritur të njoftojnë publikisht prishjen e aleancës së tyre me ekstremistët (Ben Gvir dhe Smotrich), të pranojnë parimet e Gadi Eisenkotit dhe të shprehin gatishmërinë për t’iu bashkuar një qeverie të drejtuar prej tij si kryeministër. Deri atëherë, kjo nuk është gjë tjetër veçse propagandë patetike”, deklaroi Eisenkot. Ai vijoi me akuza të drejtpërdrejta ndaj Netanyahut. “Ai që e ka përçarë, copëtuar dhe ka shkaktuar konflikte në shoqërinë izraelite, papritur përdor fjalën ‘unitet’ vetëm kur kupton se ditët e tij në pushtet janë të numëruara”, shtoi ai. Tashmë gjithçka është në duart e Bllokut të Ndryshimit. Eisenkot vazhdon t’u qëndrojë pikave të programit të tij elektoral për krijimin e një qeverie sioniste, që kërkon shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të gjithë qytetarët dhe u bën thirrje partive arabe të dënojnë Hamasin. Synimi i tij është formimi i një qeverie pakice, me mbështetjen nga jashtë të partive arabe. Ndërkohë, lideri i Yisrael Beitenu, Avigdor Liberman, i cili është pjesë e aleancës për ndryshim, ka ndryshuar papritur qëndrim për një nga çështjet kryesore të fushatave të tij. Ai ka hapur rrugën për diskutime mbi rekrutimin në ushtri të të rinjve ultraortodoksë, duke krijuar kështu mundësinë e bashkëpunimit me partitë fetare. Në të njëjtën kohë, Liberman ka kundërshtuar krijimin e një qeverie pakice që do të mbështetej nga partitë arabe. Kalimi i vështirë nga epoka e Netanyahut drejt një kapitulli të ri për Izraelin do të varet nga zhvillimet e ditëve të ardhshme. U.D/ReportTv.al Gadi Eisenkot Benjamin Netanyahu Izrael Komento Komente Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 49.1% Veliajn 18.6% Asnjërin 32.3% Vota total: 1781 Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?