Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të dielën se një rikthim i Shteteve të Bashkuara në luftë me Iranin është “shumë pak i mundshëm”, për sa kohë që negociatat për programin bërthamor të Teheranit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit shënojnë përparim. Gjatë një interviste telefonike 20-minutëshe për CNN, Trump e përsëriti pesë herë se një ndërhyrje e re ushtarake amerikane ndaj Iranit nuk shihet si e nevojshme, nëse palët arrijnë përparim diplomatik. LEXO edhe...Trump urdhëron hetime ndaj demokratëve: Po na kërcënojnë! ‘Lutje’ presidentit të organizatës së arteve marciale: Bëhu zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë “Gjithçka varet nga fakti nëse ata do të nënshkruajnë një marrëveshje vërtet të fortë”, deklaroi Trump në një bisedë me gazetarin e CNN, Jim Sciutto, duke iu referuar Iranit. “Përgjigjja është se është shumë pak e mundshme që kjo të jetë e nevojshme. Ata janë një vend në rënie. Sapo u publikuan të dhënat për inflacionin prej 301% këtë vit. Është shumë pak e mundshme që ndërhyrja të jetë e nevojshme. Por, nëse do të ishte e domosdoshme, do ta bëja. Ne i kemi goditur shumë rëndë. I kam goditur aq fort, saqë nuk e dini se çfarë dëmi u kemi shkaktuar”, u shpreh presidenti amerikan. “Prandaj, është shumë pak e mundshme që të më duhet ta bëj këtë. Ata po përballen me një dobësim të madh financiar. I kemi goditur edhe ushtarakisht. Mund t'i japim fund plotësisht kapaciteteve të tyre”, shtoi Trump. “Jemi të gatshëm” Tetë muaj pas nisjes së luftës, palët ndodhen në një situatë ngërçi, pa veprime të rëndësishme ushtarake dhe pa përparim të dukshëm diplomatik. Ndërkohë, cisternat e naftës që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit janë bërë objekt i sulmeve iraniane. Të dyja vendet, si dhe zyrtarët e Katarit, i cili ka ndërmjetësuar negociatat, kanë treguar pak informacion mbi ecurinë e bisedimeve. Megjithatë, përfaqësues të linjës së ashpër në Iran kanë interpretuar rezultatet e zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të mbajtura javën e kaluar, si një tregues të dobësimit të presidencës së Trumpit. Sipas tyre, pakënaqësia e votuesve amerikanë ndaj luftës mund ta bëjë Uashingtonin më të gatshëm të pranojë kërkesat e Teheranit për vazhdimin e programit bërthamor, të cilin Irani pretendon se e përdor për qëllime energjetike, si dhe për ruajtjen e kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit. Irani po përballet gjithashtu me vështirësi në shitjen e naftës bruto në tregjet ndërkombëtare për shkak të sanksioneve amerikane, ndërsa miliarda dollarë asete të depozituara në banka të huaja mbeten të ngrira. Trump, i cili në të kaluarën ka dhënë mesazhe të ndryshme lidhur me gatishmërinë për t'i dhënë fund luftës, bëri të qartë gjatë intervistës se forcat amerikane janë të pozicionuara në rajon dhe të gatshme për të vepruar nëse ai jep urdhrin për sulm. “Jemi të gatshëm. Këtu kam tre aeroplanmbajtëse. Një tjetër sapo mbërriti. Kemi tre të tilla, të gjitha plotësisht të pajisura dhe të gatshme për luftim”, deklaroi presidenti amerikan. Ai bëri të ditur gjithashtu se ushtria amerikane ka identifikuar objektiva infrastrukturore brenda territorit iranian, të cilat mund të goditen në rast të rifillimit të operacioneve ushtarake. Mes tyre përmendi termocentralet dhe urat. “Kemi identifikuar 38 ura që mund t'i shkatërrojmë brenda vetëm një ore. Të gjitha do të shemben”, tha Trump. Megjithatë, ai theksoi se preferon të mos shkatërrojë infrastrukturën iraniane. “Nuk dua ta bëj këtë, sepse rindërtimi i tyre do të kërkonte në thelb 10 vjet. Nuk më pëlqen të shkatërroj ura. Një urë është ndër veprat më të vështira për t'u ndërtuar. Kërkon vite dhe unë jam ndërtues i mirë”, u shpreh ai. Aktiviteti diplomatik në Lindjen e Mesme është intensifikuar që prej së martës, pas zgjedhjeve të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara. Të premten, Katari njoftoi se Trump kishte zhvilluar një bisedë telefonike me emirin e Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, për të diskutuar përpjekjet për uljen e tensioneve në rajon. Një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, zhvilloi biseda me homologët e tij nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, Pakistani, Kuvajti, Jordania, Turqia, Qiproja dhe Katari. Rezervat ushtarake të Iranit, të reduktuara Duke folur për aftësinë e Iranit për t'u mbrojtur nga sulme të mundshme të reja amerikane, Trump pretendoi se sistemet iraniane të mbrojtjes ajrore janë shkatërruar plotësisht. “Është e pamundur të ndalen, sepse ata nuk kanë më sisteme kundërajrore. E gjithë mbrojtja e tyre kundërajrore është shkatërruar”, deklaroi ai. Presidenti amerikan dha gjithashtu detaje të reja mbi gjendjen e rezervave iraniane të raketave dhe dronëve, duke pretenduar se Teherani ka ruajtur vetëm 10 për qind të kapaciteteve të tij raketore dhe rreth 15 për qind të kapaciteteve të prodhimit dhe përdorimit të dronëve. “E vetmja gjë që mund të bëjnë tani është të operojnë në nivelin e rreth 10 për qind të kapaciteteve të mëparshme, duke prodhuar disa raketa dhe dronë. Kapacitetet për dronët janë rreth 15%, pasi një pjesë e madhe e fabrikave të tyre është shkatërruar”, tha Trump. Duke iu rikthyer mundësisë së një ndërhyrjeje të re ushtarake, presidenti amerikan përsëriti se ajo mbetet pak e mundshme. “Më shumë gjasa, nuk do të jetë e nevojshme. Ata dëshirojnë jashtëzakonisht shumë të arrijnë një marrëveshje”, përfi Trump. R.Xh/ReportTv.al lufta në Iran donald trump SHBA teheran negociatat Komento Komente Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap? Ramën 48.5% Veliajn 17.9% Asnjërin 33.6% Vota total: 2010 Sondazhi i ditës: Cilin mbështesni në përplasjen politike që u hap?
