Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas emërimit të ish-zyrtares së PD-së, Jola Hysaj në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se po ndjek një strategji për dobësimin e opozitës. Gjatë një prononcimi për mediat, Berisha u shpreh se, sipas tij, “korruptimi i opozitës, burgosja e opozitës dhe rrënimi i saj janë politikat kryesore të diktatorit Edi Rama”. Duke komentuar emërimin e ish-sekretares dhe ish-anëtares së Kryesisë së PD-së në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, kreu i demokratëve tha se ka individë që, sipas tij, “shiten dhe blihen sipas tregut të qeverisë”. Megjithatë, ai theksoi se opozita mbetet e vendosur përballë mazhorancës. “Jam i sigurt se opozita qëndron më e vendosur dhe më e pamposhtur se kurrë dhe është e gatshme të bëjë gjithçka për largimin e tij nga pushteti”, deklaroi Berisha.
