Lajme Zone
Ish-shefja e SHISH nën hetim, Delegacioni i BE-së në Tiranë reagon për Politiko: Ndjekim nga afër zhvillimet
PolitikëPolitiko

Ish-shefja e SHISH nën hetim, Delegacioni i BE-së në Tiranë reagon për Politiko: Ndjekim nga afër zhvillimet

Delegacioni i BE-së në Tiranë, referuar dosjes së Vlora Hysenit, shprehet se nuk komenton çështje që janë ende në hetim, ndërsa thekson se ka besim të plotë te aftësia e SPAK për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri nuk ka komentuar konkretisht akuzat ndaj ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit, si dhe komunikimet e bëra publike në kuadër të dosjes hetimore, duke deklaruar se çështjet që janë ende nën hetim nuk komentohen. Në përgjigje të pyetjeve të Politiko.al nëse Delegacioni po e ndjek çështjen dhe nëse ka një qëndrim lidhur me zhvillimet e bëra publike, BE shprehet se po ndjek nga afër zhvillimet që lidhen me sundimin e ligjit në Shqipëri.

“Ne nuk komentojmë çështje që janë ende në hetim. Ne ndjekim nga afër zhvillimet që lidhen me sundimin e ligjit, veçanërisht në reformën në drejtësi dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku Shqipëria ka bërë përparim të konsiderueshëm”, thuhet në përgjigjen drejtuar Politiko.al.

Delegacioni i BE-së shpreh besim te SPAK, duke vlerësuar aftësinë e institucionit për të hetuar dhe ndjekur penalisht çështjet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Kemi besim të plotë në aftësinë e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për të zbuluar, hetuar dhe ndjekur penalisht korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thekson Delegacioni.

Përgjigjja e BE-së nuk përbën një qëndrim mbi provat, pretendimet apo komunikimet konkrete të përfshira në dosjen e Hysenit. Delegacioni kufizohet në deklarimin e qëndrimit të tij të përgjithshëm mbi sundimin e ligjit dhe besimin te institucionet shqiptare të drejtësisë.

Ish-drejtuesja e SHISH Vlora Hyseni është nën hetim nga SPAK për ‘përkrahje të autorit të krimit’ dhe ‘zbulim të akteve ose të dhënave sekrete’. Gjykata e Posaçme caktoi ndaj saj masën e sigurisë "arrest në shtëpi".

Në dosjen hetimore të SPAK, një pjesë e rëndësishme e dyshimeve lidhet me komunikimet e shpeshta mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit. Sipas materialeve të hetimit, gjatë periudhës 28 qershor–26 gusht 2026, në telefonin e Agasit janë evidentuar 508 forma komunikimi me Hysenin, përfshirë telefonata, video-thirrje dhe mesazhe përmes aplikacionit “Signal”. Kontakto me Politiko në rast se: Mendoni se nuk shkruajmë Shqip Mendoni se kemi bërë shkelje etike Mendoni se kemi bërë CopyPaste Mendoni se kemi bërë FakeNews Doni të postoni nje Lajm