Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet të enjten në orën 09:00 në Kuvend, ku do të shqyrtojë kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me hetimin e SPAK pwr ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni. Në kërkesën e depozituar në Kuvend, PD kërkon që të shqyrtohen përgjegjësitë institucionale për emërimin, ushtrimin e detyrës, mbikëqyrjen dhe largimin e Hysenit nga drejtimi i Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. LEXO edhe...Kushtetuesja rrëzoi kërkesën e PD për zgjedhjen e Shabanit si Avokat i Popullit, Romeo Kara: Hipokrizi e opozitës për të justifikuar qëndrimin e dyfishtë Në dokument përmenden informacionet e bëra publike lidhur me pretendimin se, gjatë kohës që ushtronte detyrën, Hyseni ka ndihmuar përmes furnizimit me të dhëna dhe informacione të klasifikuara shtetasin Ergys Agasi, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për disa vepra penale. PD kërkon që Kuvendi të shqyrtojë procedurat dhe kriteret e ndjekura për përzgjedhjen dhe emërimin e Hysenit, përgjegjësitë e institucioneve të përfshira në këtë proces, si dhe mekanizmat e kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies gjatë ushtrimit të detyrës. Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me verifikimet për të përcaktuar nëse dhe në çfarë mase është komprometuar informacion i klasifikuar, si dhe me masat e marra për garantimin e sigurisë së informacionit dhe mbrojtjen e personelit të SHISH. Në kërkesë kërkohet gjithashtu shqyrtimi i përgjegjësisë institucionale dhe politike të Kryeministrit dhe strukturave përkatëse shtetërore në procesin e përzgjedhjes, emërimit, mbikëqyrjes dhe largimit të drejtorit të SHISH. PD argumenton se çështja është e rëndësishme për ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi institucionet e sigurisë kombëtare dhe kërkon transparencë e llogaridhënie për mënyrën se si janë funksionuar mekanizmat e verifikimit dhe mbikëqyrjes. Në fund të kërkesës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që Konferenca e Kryetarëve të përcaktojë datën e zhvillimit të mocionit me debat në seancë plenare, duke theksuar se shqyrtimi parlamentar duhet të respektojë pavarësinë e organeve të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë dhe rregullat për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar. Sipas kërkesës për mocion të mbërritur në Kuvend ditën e sotme: Nga informacionet e bëra publike ka rezultuar se gjatë kohës së ushtrimit të detyrës së Drejtorit të SHISH, shtetasja Vlora Hyseni ka ndihmuar nëpërmjet furnizimit me të dhëna dhe informacione të klasifikuara shtetasin Ergys Agasi, person në hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kryerjen e veprave penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produketeve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 27/4, 244, 258, 287, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Në ushtrim të funksionit të kontrollit parlamentar, në interes të transparencës, llogaridhënies institucionale dhe mbrojtjes së interesit publik e të sigurisë kombëtare, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvendin e Shqipërisë, me objekt: (i) Procedurën dhe kriteret e ndjekura për identifikimin, verifikimin dhe propozimin e shtetases Vlora Hyseni për detyrën e Drejtorit të SHISH; (ii) Procesin e emërimit të saj në këtë detyrë dhe përgjegjësitë institucionale të organeve të përfshira në këtë proces; (iii) Mënyrën e ushtrimit të detyrës së Drejtorit të SHISH, përfshirë mekanizmat institucionalë të kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies; (iv) Masat dhe mekanizmat e ndjekur nga institucionet përgjegjëse për garantimin e integritetit institucional, mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe parandalimin e çdo keqpërdorimi të informacionit shtetëror; (v) Veprimet e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse pas daljes në dritë të rrethanave që lidhen me hetimin penal ndaj ish-Drejtorit të SHISH, përfshirë procesin që çoi në largimin e saj nga detyra; (vi) Përgjegjësinë institucionale dhe politike të Kryeministrit dhe strukturave përkatëse shtetërore në lidhje me procesin e përzgjedhjes, emërimit, mbikëqyrjes dhe shkarkimit të Drejtorit të SHISH; (vii) Verifikimet e kryera me qëllim për të identifikuar llojin, masën dhe nivelin e informacionit të klasifikuar të kompromentuar; (viii) Masat e marra për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar dhe personelit të SHISH. Çështja është e një rëndësie të veçantë për ushtrimin e kontrollit parlamentar mbi përgjegjësitë institucionale në fushën e sigurisë kombëtare, veçanërisht për shkak të natyrës së funksionit të Drejtorit të SHISH, nivelit të informacionit të klasifikuar që administrohet nga ky institucion dhe marrëdhënieve të tij me institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë. Në këtë kontekst, është e nevojshme që Kuvendi të kërkojë llogari dhe të shqyrtojë, në planin institucional dhe parlamentar, nëse mekanizmat e verifikimit, kontrollit dhe mbikëqyrjes kanë funksionuar në mënyrë të përshtatshme gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës nga Drejtori i SHISH, si dhe nëse janë ndërmarrë në kohë masat e nevojshme për garantimin e sigurisë së informacionit të klasifikuar dhe integritetit të institucionit. Mocioni me debat synon të mundësojë një shqyrtim parlamentar të plotë të fakteve dhe përgjegjësive institucionale, duke respektuar në çdo rast pavarësinë dhe kompetencat e organeve të drejtësisë, prezumimin e pafajësisë, si dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar me nivelin “sekret shtetëror”. Kuvendi, në ushtrimin e funksionit të tij të kontrollit parlamentar, ka detyrimin të sigurojë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike për çështje që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e strukturave shtetërore përgjegjëse për mbrojtjen e saj. Për sa më sipër, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga neni 98, pika 2, e Rregullores së Kuvendit, kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që brenda afatit 3-ditor të mbledhjë Konferencën e Kryetarëve për të vendosur për datën e zhvillimit të mocionit me debat në seancë plenare. R.Xh/ReportTv.al vlora hyseni hetimet per grupin e agasit konferenca e kryetareve SHISH kuvend PD Komento Komente Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik? Po 53.9% Jo 38.7% Disi 7.4% Vota total: 3924 Sondazhi i ditës: Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?

