Lajme Zone
Ish-kampion volejbolli si lojtar dhe trajner, prej vitesh i angazhuar edhe në politikë, ndërron jetë Artan Pogoni
SportTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 5 burime — Krahaso mbulimin →

Ish-kampion volejbolli si lojtar dhe trajner, prej vitesh i angazhuar edhe në politikë, ndërron jetë Artan Pogoni

Ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike, Artan Pogoni, ish-kampion si lojtar dhe trajner volejbolli, po ashtu i angazhuar prej vitesh edhe në politikë.

Ka ndërruar jetë në mënyrë tragjike, Artan Pogoni, ish-kampion si lojtar dhe trajner volejbolli, po ashtu i angazhuar prej vitesh edhe në politikë. Pogoni u nda nga jeta pak orë më parë në Vlorë, si pasojë e një infarkti (sulmi në zemër), duke lënë pas një karrierë të gjatë të ndërtuar mes auditorëve universitarë, fushave sportive dhe institucioneve drejtuese.

Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni, është një nga emrat e njohur të edukimit fizik, sportit dhe administrimit sportiv në vend.

Ai mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti”, si dhe ishte anëtar i Senatit Akademik të këtij institucioni.

Me një formim të gjerë akademik, Doktor Shkencash dhe me katër diploma universitare, Artan Pogoni ia kushtoi jetën zhvillimit të shkencave të sportit, veçanërisht në fushat e rekreacionit sportiv, metodologjisë së stërvitjes dhe edukimit fizik.

Ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare, ndërsa kishte kontribuar edhe në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke promovuar shkëmbimin e eksperiencave dhe modernizimin e sportit shqiptar.

Përtej karrierës akademike, Pogoni ishte i angazhuar drejtpërdrejt në sportin elitar. Ai ka qenë drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës, ndërsa në vitet e fundit ishte një nga figurat drejtuese të Barleti Volej, ku ka kontribuar edhe si trajner i ekipit të femrave.

Emri i tij ishte i pranishëm edhe në debatet publike për problematikat e sportit shqiptar, ku shpesh ka ngritur shqetësime për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të federatave sportive.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një pedagog, studiues dhe kontribues të rëndësishëm të sportit. Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për shumë vite punoi për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.

Artan Pogoni do të kujtohet si një nga zërat e rëndësishëm të lidhjes mes shkencës dhe sportit në Shqipëri. Top Channel