Shërbimi sekret amerikan është në dijeni të një videoje të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian, e cila duket se kërcënon jetën e djalit më të vogël të presidentit Donald Trump, Barronit. Lajmin e përcjell CNN, që thekson se mediat iraniane të linjës së ashpër kanë publikuar vazhdimisht materiale që kërcënojnë jetën e presidentit Trump dhe familjes së tij, pas vrasjes së ish-liderit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, dhe shumë prej familjarëve të tij në fillim të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit në muajin shkurt.
Më herët ka pasur kërcënime ndaj Zonjës së Parë, Melania Trump, por kjo duket se është e para herë që shënjestër e tyre bëhet Barron. “Shërbimi sekret i SHBA-së është në dijeni të videos dhe heton çdo gjë që mund të perceptohet si kërcënim ndaj personave që mbrohen prej nesh”, tha në një deklaratë për CNN zëdhënësi Nate Herring. “Për shkak të shqetësimeve lidhur me sigurinë operacionale, ne nuk diskutojmë çështje që kanë të bëjnë me informacionet e inteligjencës për mbrojtjen.”
Videoja, e cila zgjat rreth tre minuta, nis me një grafikë në gjuhën angleze ku shkruhet: “Ku të vrasim Barron Trump?!”, ndërsa tregon vendet ku dihet publikisht se djali i vogël i Trump kalon kohë, përfshirë Trump Tower në Nju Jork. Në fund të videos, narratori shton se njerëzit po “presin me padurim të marrin shpërblimin prej 10 milionë dollarësh”.
Videoja u transmetua gjatë fundjavës nga transmetuesi iranian IRIB, një media shtetërore që konsiderohet e afërt me qarqet e linjës së ashpër brenda regjimit iranian, drejtuesi i së cilës emërohet drejtpërdrejt nga lideri Suprem i Iranit Top Channel

