Inteligjenca artificiale pritet të përfshihet në proceset e prokurimit publik në Shqipëri brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm. Afati u bë i ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën. Ibrahimaj e vendosi theksin te përdorimi i teknologjisë dhe digjitalizimit në prokurimet publike, duke e lidhur investimin në teknologji edhe me rritjen e transparencës dhe luftën ndaj korrupsionit. LEXO edhe...Aksioni i pastrimit në Tiranë/ Pas Paskuqanit, Bashkia nis punë në lumin e Lanës në Shkozë “Unë besoj fort që teknologjia dhe investimi në teknologji është e vetmja rrugë për të luftuar qoftë paragjykimin, qoftë eventualisht korrupsionin”, tha Ibrahimaj. Sipas ministres, përfshirja e inteligjencës artificiale synon të përmirësojë dhe automatizojë proceset e prokurimit, të ulë kostot dhe të rrisë cilësinë e shërbimeve publike. Objektivi, sipas saj, është që inteligjenca artificiale të përfshihet në këto procese brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm. Deklaratat u bënë gjatë nënshkrimit në Tiranë të marrëveshjes “Prokurojmë së bashku për Shqipërinë Evropiane” mes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara dhe Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën. Marrëveshja u firmos nga administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, dhe drejtorja e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania. Në ceremoni morën pjesë edhe Ibrahimaj dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald. Marrëveshja parashikon që UNOPS të ofrojë për gjashtë muaj mbështetje teknike për OBP-në. Në fokus do të jetë forcimi i kapaciteteve të institucionit, përmirësimi i mekanizmave të brendshëm dhe përafrimi i praktikave të prokurimit me standardet ndërkombëtare. Bashkëpunimi synon gjithashtu zhvillimin e blerjeve strategjike dhe përdorimin më të gjerë të teknologjisë dhe zgjidhjeve inovative në prokurimin publik. Ibrahimaj vlerësoi progresin e bërë në vitet e fundit në këtë fushë, ndërsa tha se reformat duhet të vijojnë për të rritur eficencën dhe transparencën. Ajo vlerësoi gjithashtu punën e stafit të OBP-së për ndërtimin dhe konsolidimin e institucionit. Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald, tha se prokurimi publik efikas ka rëndësi për forcimin e institucioneve dhe që fondet publike të përkthehen në shërbime cilësore për qytetarët. “Përmes këtij partneriteti, UNOPS do të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare për të mbështetur Operatorin e Blerjeve të Përqendruara në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e performancës, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira”, tha Macdonald. Drejtorja e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania, tha se marrëveshja synon të krijojë bazat për procese prokurimi më transparente dhe efikase, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare të UNOPS me vizionin strategjik të OBP-së. Administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, tha se mbështetja teknike do të shërbejë për integrimin e praktikave ndërkombëtare në sistemet e prokurimit dhe forcimin e standardeve të integritetit dhe llogaridhënies në menaxhimin e fondeve publike. Projekti do të zbatohet gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, me fokus te stafi dhe mekanizmat e brendshëm të OBP-së. U.D/ReportTv.al Tirane operatori i blerjeve te perqendruara kosove jonaid myzyri Sabine Kania Komento Komente Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë? Qeverisë 78.1% Magjistratëve 15.8% Nuk e di 6.1% Vota total: 2643 Sondazhi i ditës: Ngërçi për pagat e drejtësisë, kujt i jepni të drejtë?

