Episodet e ditës së parë të protestës, vetëm sa acaruan më tej protestuesit në ditën e dytë, e me radhë gjatë gjithë ditëve të protestës. Ata nisën marshimet përreth qendrës së Tiranës. Një pjesë radikale e tyre, shfrynë dufin ndaj disa institucioneve njëri pas tjetrit. Ndryshe nga dita e parë, policia u tregua e tërhequr dhe pasive ndaj turmës që dëmtuan semaforët, koshat, billbordet, kioskat, bizneset, apo vendqëndrimet e autobusëve. Edhe kjo strategji e uniformave blu, u kritikua ashpër pasi u konsiderua si një lëshim i qëllimshëm i situatës.
15 tetori ishte një tjetër pikë kulminante e protestës dhe panikut të dhunës së policisë ndaj protestuesve. Videot e Eva Pangos që shoqërohej në spital me barelë ishin për zemra të forta. Mes protestuesve kalonte fjalë më fjalë teoria më e keqe për fatin e të resë. Fatmirësisht, Eva po jep këtë dëshmi ekzkluzive për Inside Storyn pas daljes nga spitali.
“Unë nuk kam bërë kurrë as hedhje guri, as hedhje granatash. Nuk e kam për natyrë, unë në natyrë kam retorikën”, u shpreh Eva Pango.
“Mua më ka rënë granatë lotsjellëse cilindrike. Kjo ka qenë e zezë dhe cilindrike, jo ato klasike. Drejt e në ballin tim ishte goditja. Më pas humba ndjenjat, sheshi u la me gjak dhe nuk mbajt mend më gjë”, u shpreh Eva.
Ajo tregon se stafi mjekësor bëri maksimumin, por flet dhe për problematikat e bluzave të bardha me mangësitë që kishin.
“Nuk mund të mohoj stafin se si janë sjellë. Sistemi me difiçitet e veta është tjetër gjë, njerëzit janë tjetër gjë. Reanimacioni ishte në gjendje shumë të keqe, kam qëndruar 3 ditë aty u gëzova që dola në pavion. Ishte shumë problematik. Kishte vetëm një maskë oksigjeni dhe e aklonin dorë më dorë. Hiqja Lenën dhe vërja Prenës, shumë e rëndë, tjetri mund të vdesë kur ia heq oksigjenin. Pacientët duke vdekur në reanimacion te muri bëheshin punime, unë e kisha kafkën e hapur e dëgjoja”, u shpreh Pango.
Grupi radikal i protestuesve, veç fokusit kundrejt institucioneve, shënjestroi dhe biznese të ndryshme te cilat i mendojnë si afër qeverisë, apo që kanë ndikuar për keq në jetën e tyre. Bankat e nivelit të dytë, kompanitë celulare, kompanitë e mikrokredive ishin shënjestra e preferuar.
“Revolucion është fjalë e madhe, por jemi në kufijtë e një revolucioni. Çdo shpërthim pakënaqësie është akumulim i një momenti të caktuar. Ndonjëherë kur kalon ai momenti zor se përsëritet më. E tillë ishte protesta e studentëve, ishte momenti për ndryshim të madh u shua me lloj sabotimesh, të brendshme, të jashtme, fjeti për ca vite dhe ja ku jemi sërish. U rindez sërish. Nuk mund ta marrim këtë si një shkëputje nga revolta popullore”, u shpreh Eva Pango.
Për Evën, studentët dhe aktivistët që ndodhen në shesh, këto forma protestash, duket tashmë sikur janë kthyer në një mënyrë jetese.
“Unë nuk do të heq dorë, nuk është se kam dale nga spitali më e thyer dhe më e rënë. Kam dale më e motivuar kur pashë se sa mbështetje dhe solidaritet kam marrë”, u shpreh protestuesja.
“Nuk të bën më përshtypje gjë dhe shumë protestues që janë rrahur dhe janë rrahur do të dalin më të motivuar, sepse kur kanë provuar dhe drurin thonë se s’kemi për të humbur gjë. Nuk funksionon me dhunë me shqiptarët, ta harrojnë sepse do u kthehet mbrapsht. Në spital shpresoj të mos kthehem më kurrë, në protestë do kthehem që çke me të”, u shpreh Eva Pango. Top Channel

