Në politikën shqiptare, miqësitë e vërteta janë të rralla, por kur gjenden, duhen vlerësuar. Sidomos kur një mik përballet me ditë të vështira dhe tjetri shfaqet publikisht për t’i dhënë zemër. Këtë shembull fisnikërie politike po na e ofron Agron Shehaj, i cili nuk e ka harruar Erion Veliajn pikërisht në një nga momentet më delikate të karrierës së tij.
Pas transferimit të kryebashkiakut të Tiranës nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, Shehaj ka dalë në mbrojtje të tij, duke komentuar pretendimin e Veliajt se ishte “rrëmbyer nga policia”. Një gjest që tregon se, pavarësisht zhvillimeve të viteve të fundit, disa lidhje politike nuk këputen lehtë. Madje, duket se forcohen pikërisht kur kamerat janë ndezur.
Por Agroni nuk ndalet te solidariteti. Ai e ka kthyer këtë rast edhe në një mundësi për t’i kujtuar publikut se, sipas tij, pushteti i Edi Ramës po shkërmoqet. Shehaj pret që Veliaj të tregojë “zullumet” dhe që kryeministri të përfjë para drejtësisë. Pra, përtej shqetësimit për transferimin, duket se kemi edhe një pritshmëri të madhe për rrëfimin që mund të vijë nga burgu. Një mik që jo vetëm të qëndron pranë, por pret edhe të dëgjojë çfarë ke për të treguar.
Dikur, Shehaj dhe Veliaj janë shfaqur bashkë në dalje publike. Sot, njëri është në opozitë, ndërsa tjetri përballet me drejtësinë. Rrethanat kanë ndryshuar, por vëmendja e Shehajt ndaj fatit të kryebashkiakut është sërish aty. Në politikë, kjo quhet qëndrueshmëri; publiku, natyrisht, mund ta interpretojë si të dëshirojë.
Sipas Shehajt, transferimi lidhet edhe me mesazhin e Veliajt në mbështetje të protestave studentore në Serbi, të cilin ai e interpreton si një sinjal që prek edhe zhvillimet në Shqipëri. Një shpjegim politik që mbetet pretendim i tij dhe që kërkon më shumë se një video për t’u vërtetuar.
Në fund, duhet pranuar se jo çdo ditë sheh një politikan që i del në krah një tjetri në një moment kaq të vështirë. Aq më tepër kur ky solidaritet shoqërohet me pritjen që miku të flasë dhe drejtësia të vazhdojë rrugën e saj. Miqësia është gjë e bukur, sidomos kur vjen me deklarata të forta, kujtime të përbashkëta dhe kamera për ta dokumentuar.

