Inflacioni i matur sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (IHÇK) një metodologji e Eurostat arriti në 3% në gusht 2026, duke mbetur lehtësisht nën mesataren prej 3,2% të Bashkimit Europian.
Në krahasim me korrikun, çmimet e konsumit në Shqipëri u ulën me 0,1%, duke sinjalizuar një zbutje të lehtë mujore të presioneve mbi çmimet.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se, ndonëse ushqimet vazhdojnë të kenë ndikimin më të madh në inflacion për shkak të peshës së tyre të lartë në shpenzime, ritmet më të forta të rritjes së çmimeve po vijnë nga transporti, argëtimi dhe disa shërbime.
Çmimet e transportit ishin 7% më të larta se një vit më parë, ndërsa vetëm gjatë gushtit u rritën me 2,1%. Edhe më e lartë ishte rritja vjetore për grupin “Argëtim, sport dhe kulturë”, me 8,5%, ndërsa çmimet e restoranteve dhe shërbimeve të akomodimit u rritën me 3,5% në bazë vjetore dhe me 0,3% krahasuar me korrikun.
Megjithatë, ndikimin më të madh në inflacionin total e dhanë ushqimet dhe pijet joalkoolike, me 0,74 pikë përqindjeje. Çmimet në këtë grup ishin 2,1% më të larta se në gushtin e vitit të kaluar. Pas tyre renditeshin transporti, me kontribut prej 0,59 pikë përqindjeje, argëtimi, sporti dhe kultura me 0,55 pikë dhe restorantet e akomodimi me 0,51 pikë përqindjeje.
Në terma mujorë, tabloja ishte më e favorshme për konsumatorët. Ushqimet dhe pijet joalkoolike u liruan me 0,9% në gusht, po aq sa veshjet dhe këpucët. Çmimet e pijeve alkoolike dhe duhanit ranë me 0,4%, ndërsa mobiliet dhe pajisjet e shtëpisë me 0,2%. Këto ulje kompensuan pjesërisht rritjen e fortë mujore të transportit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se presionet e çmimeve nuk janë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme. Veshjet dhe këpucët ishin 2% më të lira se një vit më parë, ndërsa informacioni dhe komunikimi shënuan një rënie vjetore prej 1%. Në krahun tjetër, shërbimi arsimor dhe shërbimet financiare u shtrenjtuan me nga 3,3%, pijet alkoolike dhe duhani me 3,6%, ndërsa shëndeti me 2,1%.
Në krahasimin europian të paraqitur nga INSTAT, Shqipëria me inflacion 3% qëndron pak poshtë mesatares së BE-së prej 3,2%. Diferencat mes vendeve mbeten të mëdha: në krye të grafikut janë Rumania dhe Islanda, me norma mbi 6%, ndërsa në fund renditen Zvicra dhe Suedia, me norma dukshëm më të ulëta.
IHÇK ka rëndësi për krahasimin me vendet europiane, pasi përdor një metodologji të harmonizuar dhe përfshin shpenzimet e kryera në territorin e Shqipërisë si nga familjet shqiptare, ashtu edhe nga turistët. Kjo e dallon nga Indeksi i Çmimeve të Konsumit, që mbetet matësi zyrtar i inflacionit në vend. /Monitor Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

