Lajme Zone
Inflacioni 3.2% në gusht, transporti dhe ushqimet ndikojnë në rritjen e çmimeve
SportEuronews Albania

Inflacioni 3.2% në gusht, transporti dhe ushqimet ndikojnë në rritjen e çmimeve

Inflacioni në Shqipëri u rrit në 3.2% në gusht 2026, duke shënuar një përshpejtim të ndjeshëm krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur norma ishte 2.3%. Krahasuar me korrikun, çmimet e konsumit u rritën me 0.1%.

Inflacioni në Shqipëri u rrit në 3.2% në gusht 2026, duke shënuar një përshpejtim të ndjeshëm krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur norma ishte 2.3%. Krahasuar me korrikun, çmimet e konsumit u rritën me 0.1%. Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja vjetore e çmimeve është ushqyer mbi të gjitha nga ushqimet dhe pijet joalkoolike, transporti dhe grupi që përfshin qiratë, ujin, energjinë elektrike, gazin dhe karburantet e tjera. Vetëm këto tre kategori dhanë ndikimin kryesor në rritjen e inflacionit gjatë muajit. Ndër grupet kryesore të konsumit, transporti regjistroi rritjen më të lartë vjetore, me 12%. Pas tij renditen argëtimi, sporti dhe kultura me 5.4%, sigurimet dhe shërbimet financiare me 4.6%, si dhe qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera me 3.7%. Edhe në terma mujorë, transporti ishte faktori kryesor që shtyu çmimet lart. Krahasuar me korrikun 2026, çmimet në këtë grup u rritën me 3.9%, ndërsa restorantet dhe shërbimet e akomodimit u shtrenjtuan me 0.2% dhe grupi i qirasë, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe karburanteve me 0.1%. Edhe pse rritja e çmimeve të ushqimeve nuk ishte më e larta ndër grupet e konsumit, pesha e tyre në shportën e konsumatorit bën që ato të kenë ndikim të fortë në inflacionin e përgjithshëm. Në gusht, ushqimet dhe pijet joalkoolike ndikuan me 0.95 pikë përqindjeje në rritjen vjetore të çmimeve. Transporti kontribuoi me 0.79 pikë përqindjeje, ndërsa qiratë, uji, energjia elektrike, gazi dhe karburantet e tjera me 0.76 pikë përqindjeje. Në terma vjetorë, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike u rritën me 2.8%, ndërsa grupi që lidhet me banesën dhe energjinë u rrit me 3.7%.