Lajme Zone
Ilir Yzeiri: Veliaj i rrethuar me heshtje pas një propozimi dinjitoz për reformën territoriale
PolitikëShqiptarja
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Ilir Yzeiri: Veliaj i rrethuar me heshtje pas një propozimi dinjitoz për reformën territoriale

Erion Veliaj, me anë të rekomandimeve që propozon, kërkon që Partia Socialiste të paraqitet më e fortë dhe më e denjë dhe të shmangë krisjet e panevojshme që vijnë nga hartimi i një drafti që nuk përmban elemente të mirëqeverisjes, por më shumë ngjan si një ngut për të hartuar një reformë për interesa të paqarta.

Megjithëse në kushtet më të vështira që mund të përballojë një i zgjedhur që ka në shpinë drejtimin e bashkisë që ka popullsi dhe aktivitet ekonomik e kulturor sa gjysma e Shqipërisë, Erion Veliaj, në pamundësi për të marrë pjesë në konsultimet publike dhe institucionale për Reformën Territoriale, për shkak të persekutimit politik, iu drejtua me një letër Kuvendit dhe bëri disa propozime, në thelb të dobishme dhe të përqasura me Kushtetutën. Ai kontribuoi që ta nxirrte komunikimin e drunjtë me publikun, që po i bënin eksponentë të PS-së kësaj reforme, në një dritë të re dhe dha disa opinione të cilat i bëjnë nder Partisë Socialiste dhe ia heqin asaj mjegullën me anë të së cilës është mbështjellë kjo reformë, që ka lënë të pakënaqur një pjesë të madhe të qytetarëve dhe të anëtarëve të PS-së po ashtu. Megjithëse në ato kushte, Veliaj, me anë të rekomandimeve që propozon, kërkon që Partia Socialiste të paraqitet më e fortë dhe më e denjë dhe të shmangë krisjet e panevojshme që vijnë nga hartimi i një drafti që nuk përmban elemente të mirëqeverisjes, por më shumë ngjan si një ngut për të hartuar një reformë për interesa të paqarta. LEXO EDHE:‘Territorialja’/ Aleatët të pakënaqur, kritika Berishës: Na përjashtove nga procesi, na le në terr! Dil, kryeso protestat! Kreu i PD i mbledh vetëm 5 ditë para votimit në Kuvend Le t’i shohim me radhë argumentet dhe parashtrimet e Veliajt. E para, Veliaj nuk del kundër reformës. Ai kërkon që mazhoranca ta bëjë atë kushtetuese. Veliaj, përkundër spekulimeve që janë të natyrshme po të shohësh fatin e tij politik, izolimin makabër dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, përkundër vendimit që ka marrë Gjykata Kushtetuese, që e la atë në detyrë, pra përkundër gjithë këtyre, me këtë letër drejtuar Kuvendit ka ruajtur identitetin e tij të lartë politik si përfaqësues i denjë i mazhorancës, kultura politike e së cilës dallohet nga debati i hapur dhe mendimi ndryshe. Veliaj e thotë shprehimisht se shumica së cilës i përket “nuk duhet t’i druhet këtij standardi” dhe se reformat duhet t’i rezistojnë edhe kontrollit kushtetues të shumicave të ardhshme. E dyta, megjithëse nga një pozitë ku ushtrimi normal i mandatit i është bërë i pamundur, ai zgjedh të flasë si institucion dhe jo si i paraburgosur i pafajshëm politik. Shkresa, siç e kemi parë, ngre një pyetje: si mund t’i kërkohet Kryetarit mendim institucional për reformën, ndërkohë që pjesëmarrja e tij në vetë procesin është bërë e pamundur? Të gjithë e dimë paradoksin kriminal shtetëror që e shoqëron fatin e Veliajt. Gjykata Kushtetuese, organi më i lartë kushtetues i vendit, i thotë: “Shko në punë”; Gjykata e Lartë e Sandër Simonit, meqë këtij i duheshin votat për t’u zgjedhur në KLGJ, pra për të kënaqur korporatën e drejtësisë që i merr vendimet me qoka, i thotë: “Rri në burg”. E treta, Veliaj vjen nga shkolla politike e PS-së moderne, ku mendimi kritik i strukturuar edhe juridikisht i bën mirë reformës, dhe sugjerimet e tij, po të lexohen me vëmendje, janë mendimet dhe arsyetimet kritike më dinjitoze dhe më institucionale që i janë bërë kësaj reforme. Dokumenti i Veliajt jep material për këtë tezë: ai ballafaqon, nen për nen, Kushtetutën, ligjin nr. 139/2015 dhe Kartën Europiane; identifikon probleme konkrete dhe përfn me nëntë kërkesa korrigjuese. E katërta, gjetja juridike mund të shpjegohet me një fjali: ligji aktual thotë Bashki → Njësi Administrative → Qytet/Fshat; projekti thotë Bashki → Qytet → Njësi Administrative/Fshat. Pra, reforma nuk ndryshon vetëm hartën; ajo ndërhyn në arkitekturën e vetëqeverisjes pa ndryshuar njëkohësisht ligjin bazë që e rregullon. E pesta, teza më e fortë kushtetuese është: “Qytetari duhet të vijë përpara hartës.” Neni 108 kërkon mendimin paraprak të popullsisë. Veliaj argumenton se këtu projekti, tabelat dhe harta janë hartuar fillimisht dhe qytetarët pyeten më pas. Pra, pyetja është nëse po konsultohet realisht një alternativë apo po kërkohet legjitimimi i një zgjidhjeje tashmë të formuluar. Ka edhe një dimension politik: a ka ende PS hapësirë për mosdakordësi nga brenda? Veliaj nuk e vendos veten jashtë partisë dhe nuk sulmon drejtuesit e saj. Përkundrazi, ai, në thelb, thotë se unë jam pjesë e kësaj shumice dhe pikërisht prandaj kërkoj që reforma jonë t’i rezistojë Kushtetutës. Kjo mund të hapë një analizë për nevojën e pluralizmit të brendshëm në një parti që qeveris prej shumë vitesh. Kontrasti njerëzor është i fortë. Ai shkruan se përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk bëhet më e vogël kur ushtrimi i mandatit bëhet më i vështirë. Pra, këndi duhet të jetë: edhe pse i penguar fizikisht të ushtrojë normalisht detyrën, ai pretendon se mandati vazhdon ta detyrojë të flasë për qytetin që e ka zgjedhur. Tirana është prova konkrete e reformës, jo një debat abstrakt. Rinasi i bashkohet Tiranës, por shkresa kërkon të dijë: sa popullsi transferohet, çfarë pasurish dhe detyrimesh, çfarë personeli, të ardhurash, shpenzimesh dhe shërbimesh? Pra, a ekziston kjo dosje dhe çfarë thotë? Projekti shpall “përfaqësimin proporcional të qyteteve”, por nuk shpjegon ende se si do të përkthehet në votë. Veliaj pyet: çfarë bëhet me barazinë e votës dhe me përfaqësimin e fshatrave e njësive administrative? Rëndësia e letrës së Veliajt nuk qëndron vetëm te fakti se ai thotë “jo ende” për një projekt të shumicës së vet. E rëndësishme, në këtë rast, është se, pavarësisht kushteve në të cilat ndodhet, Veliaj ndihet i lirë dhe, që aty ku është, përpiqet të artikulojë një model tjetër të marrëdhënies me partinë: besnikëri ndaj socialistëve, por pa heshtje institucionale. Erion Veliaj është një pasuri e socialistëve dhe një zë që PS-ja ka nevojë ta ruajë, në shkretëtirën e mendimit që e ka mbërthyer. SI.E./Shqiptarja.com TAG: erion veliaj PS ilir yzeiri reforma territoriale Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 5.0 / 5 (1 vlerësim) Faleminderit! OPINIONET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:

30 Shtator, 16:02

Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale? Po 69.2% Jo 25.9% Jam i/e dyzyuar 4.9% Vota total: 3931 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 30 Shtator, 16:02 Kufizim për arrestin në burg, a jeni dakord me ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale?