Janë identifikuar katër personat që mbetën të plagosur pas zjarrit që përfshiu një skaf në Porto Palermo, Himarë, teksa po punonin për riparimin e motorit. Të plagosurit janë: Mateo Merdanaj, Aleks Doda, Xhemal Ismailaj dhe Ardinant Qaziu.
Katër personat pësuan djegie pasi benzina në pjesën e motorit dhe në serbator dyshohet se mori flakë gjatë punimeve.
Sipas të dhënave paraprake, njëri prej personave dyshohet se po konsumonte cigare në momentin kur benzina mori flakë, duke shkaktuar zjarrin.
Të katër të dëmtuarit u transportuan fillimisht në spitalin e Himarës. Njëri prej tyre raportohet se ka pësuar djegie në rreth 50% të trupit, ndërsa një tjetër ka marrë djegie edhe më të rënda.
Për shkak të gjendjes së tyre, të plagosurit janë transportuar fillimisht në Vlorë dhe pas ndihmës së parë janë nisur në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Ngjarja në Porto Palermo vjen një ditë pas zjarrit të rënë në një hotel në Vlorë, ku gjashtë persona mbetën të plagosur. Dy prej të plagosurve nga zjarri në hotel vijojnë të jenë në gjendje të rëndë shëndetësore. Top Channel

