Të paktën shtatë persona kanë humbur jetën në Indiana të SHBA-së, pas disa ditësh me stuhi të fuqishme dhe reshje të dendura shiu që shkaktuan përmbytje të mëdha në disa zona të shtetit. Mes viktimave është edhe një djalë katërvjeçar, ndërsa një çiklist 31-vjeçar humbi jetën pasi ra në një pjesë të rrugës që ishte shembur si pasojë e përmbytjeve.
Situata më e rënduar është paraqitur në Indianën qendrore dhe në zonën e Indianapolisit, ku reshjet e pandërprera kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të lumenjve. Lumi i Bardhë ka kaluar nivele të regjistruara më shumë se një shekull më parë. Në disa zona janë regjistruar rreth 28 centimetra shi brenda vetëm 48 orëve, duke shkaktuar përmbytje masive në zona të banuara. Qindra banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë përdorur varka për të arritur te personat e bllokuar nga ujërat. Rrugë të shumta janë kthyer në lumenj, ndërsa ura, ndërtesa dhe pjesë të tjera të infrastrukturës kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme. Edhe pse në disa zona ujërat kanë nisur të tërhiqen, autoritetet paralajmërojnë se rreziku ende nuk ka kaluar. Më shumë se 106 mijë abonentë në Indiana kanë mbetur pa energji elektrike, megjithëse ky numër është ndjeshëm më i ulët krahasuar me kulmin e motit të keq, kur rreth 300 mijë abonentë ishin pa energji. Vala e motit ekstrem nuk është kufizuar vetëm në Indiana. Stuhi të fuqishme, tornado, erëra me shpejtësi të lartë dhe përmbytje të menjëhershme kanë goditur edhe pjesë të tjera të Midwest-it, përfshirë Illinois, Ohio dhe Kentucky.
Në disa zona, erërat kanë arritur shpejtësinë e 160 kilometrave në orë, duke shkulur pemë, dëmtuar ndërtesa dhe rrëzuar linjat e energjisë elektrike.
Ndërkohë, në Denver, reshje të mëdha breshëri kanë mbuluar rrugët, duke detyruar autoritetet të përdorin mjete të posaçme për pastrimin e tyre.
Guvernatori i Indianës, Mike Brown, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në shtet, ndërsa është miratuar edhe ndihma federale për përballimin e pasojave të katastrofës.
Ndërsa situata në Indiana po përmirësohet gradualisht, fronti i motit të keq po zhvendoset drejt lindjes.
Paralajmërime për përmbytje janë në fuqi në pjesë të Virxhinias Perëndimore, Ohios juglindore dhe Kentucky-t verilindor, ku reshjet e reja mund të shkaktojnë përmbytje të menjëhershme dhe të rrezikshme.
Autoritetet u kanë bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të mos tentojnë të kalojnë rrugët e mbuluara nga uji, pasi rrymat mund të jenë shumë të forta dhe rruga poshtë ujit mund të jetë dëmtuar ose shembur.
Në Indiana, tërheqja e ujërave po nxjerr në pah përmasat e vërteta të dëmeve. Ekipet e shpëtimit po kalojnë gradualisht nga operacionet e emergjencës te vlerësimi i dëmeve dhe rikthimi i shtëpive, bizneseve, rrugëve dhe infrastrukturës bazë. Top Channel

