Alexandre Pato ka rrëfyer disa prej kujtimeve më të veçanta nga periudha e tij te Milani, duke zbuluar edhe histori prapa skenave me disa prej legjendave të klubit italian. Braziliani foli nga skena e Festivalit Sportiv të Trentos, në aktivitetin “Rossonero per sempre”, ku kujtoi fillimet e tij me fanellën kuqezi.
“Shpesh luaja me Milanin në PlayStation. Ëndrra ime ishte bërë realitet”, u shpreh Pato, duke treguar se sa i veçantë ishte për të transferimi te Milani dhe mundësia për të luajtur krah emrave të mëdhenj të futbollit.
Pato tregoi edhe disa episode me ish-shokët e skuadrës. Ai kujtoi atmosferën brenda dhomave të zhveshjes, ku lojtarët ishin të ndarë në tavolina sipas kombësive.
“Kishte një tavolinë braziliane, një tavolinë italiane dhe një tavolinë nga pjesa tjetër e botës”, tregoi ai.
“Një ditë doja t’i bëja një shaka Gattusos, por ai më kapi për flokësh”, rrëfeu Pato mes të qeshurave.
Ai veçoi edhe Cafunë, duke e cilësuar si një prej njerëzve që i ka mësuar më shumë gjatë asaj periudhe.
“Cafu mbaronte stërvitjen dhe më pas qëndronte në palestër për të stërvitur edhe më shumë. Ai më mësoi shumë”, tha Pato.
Ndër emrat që lanë gjurmë tek ai ishte edhe Paolo Maldini, ndërsa një vend të veçantë në kujtimet e brazilianit zë edhe David Beckham.
“Beckham ishte një lojtar që e kam ndjekur gjithmonë. Një ditë, pas dushit të tij, ndërsa ai po bënte dush, shkova te dollapi i tij dhe pashë parfumin që përdorte. Ende e përdor atë parfum sot”, tregoi Pato.
Marrëdhënia mes tyre u kthye edhe në miqësi dhe Pato foli me admirim për Beckhamin, i cili tashmë është edhe pronar i një klubi futbolli. Në këtë drejtim, braziliani kujtoi edhe faktin se ai vetë së fundmi ka blerë Northampton Town.
Pato foli me shumë vlerësim edhe për Carlo Ancelottin, me të cilin, sipas tij, vazhdon të ketë marrëdhënie të mirë.
“Ancelotti ka qenë gjithmonë afër meje. Jemi ende në kontakt. Më ndihmoi shumë. Një nga gjestet më të bukura që kam pasur ndonjëherë në karrierën time ishte kur më mori për dore dhe më prezantoi me pjesën tjetër të ekipit”, u shpreh ish-sulmuesi i Milanit.
Në fund, Pato i uroi sukses Ancelottit në aventurën e tij si trajner i Brazilit.
“Më mësoi shumë. Tani shpresoj se ai mund të bëjë mirë edhe si trajner i Brazilit”, përfi Pato. Top Channel

