Administrata e Presidentit Donald Trump po përpiqet të deportojë Blerim Skoron, një shtetas me origjinë nga Kosova, i cili pretendon se ka punuar për CIA-n dhe ka qenë i infiltruar në rrjete terroriste pas sulmeve të 11 shtatorit, duke ndihmuar në arrestimin dhe dënimin e anëtarëve të disa organizatave terroriste. Agjentë të Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) e arrestuan 55-vjeçarin më 3 gusht, jashtë një zyre emigracioni në Elizabeth, New Jersey, ku ai kishte shkuar për të rinovuar dokumentet e tij. Avokatët e Skoros kanë paraqitur një kërkesë në gjykatën federale për të ndaluar deportimin e tij, duke argumentuar se ai ka kryer për vite me radhë punë të rëndësishme për agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës dhe se, për shkak të kësaj veprimtarie, rrezikon të torturohet ose të vritet nëse kthehet në Kosovë. Skoro, i cili jeton në Staten Island, New York, me gruan dhe tre fëmijët e tij, kishte marrë në vitin 2022 një shtyrje të deportimit për shkak të rrezikut që i kanosej nëse kthehej në Kosovë. Sipas avokatëve të tij, vendimi ishte marrë pjesërisht për shkak të ndihmës që ai kishte dhënë në sigurimin e arrestimeve të anëtarëve të Al-Kaedës, Al-Shabaab dhe Hezbollahut. “Nuk e mendova kurrë se do të më tradhtonin në këtë mënyrë”, i tha Skoro CBS News nga Qendra e Paraburgimit Elizabeth në New Jersey. “Ju lutem, nëse vdes, duhet të vdes në këtë vend që fëmijët e mi të më varrosin.” Si nisi bashkëpunimi me autoritetet amerikane Sipas dokumenteve të FBI-së, marrëdhënia e Skoros me zyrtarët amerikanë të inteligjencës nisi pasi ai u arrestua për trafik droge në vitin 2000. Ai kishte ardhur në SHBA në vitin 1994, pasi kishte kërkuar azil pas largimit nga Ushtria e atëhershme Jugosllave. Sipas deklarimeve të tij, familja e tij ishte larguar nga Kosova gjatë konfliktit të viteve ’90. Gjatë kohës që vuante dënimin në një burg federal në Pensilvani, nga viti 2002 deri në vitin 2006, Skoro thotë se mblodhi informacione për FBI-në mbi persona të dyshuar për terrorizëm. Dokumente të redaktuara të FBI-së nga viti 2004, të siguruara nga CBS News, e rendisin Skoron si informator në një hetim që lidhej me Osama bin Ladenin. Dokumentet përmendin se ai kishte dhënë informacione të konsideruara “të zbatueshme” dhe “të besueshme”, përfshirë të dhëna mbi një kamp trajnimi në Siri. Pas 11 shtatorit, Skoro pretendon se CIA e rekrutoi për të shfrytëzuar lidhjet e tij me qarqet radikale islamike. Pretendon se infiltroi Al-Kaedën Skoro thotë se në vitin 2007 u deportua në Kosovë dhe se CIA i kërkoi të infiltohej në rrjetet e Al-Kaedës nga Ballkani. Sipas deklarimeve të tij, ai veproi si agjent i fshehtë nga viti 2007 deri në vitin 2009, duke udhëtuar në Kosovë, Siri, Liban, Jordani, Pakistan dhe Egjipt. Ai pretendon gjithashtu se ndihmoi në arrestimin e Betim Kaziu, një shtetas nga Brooklyn i dënuar me 27 vite burg pasi tentoi të siguronte armë për organizatën terroriste somaleze Al-Shabaab, me qëllim sulmimin e trupave amerikane jashtë vendit. Sipas deklaratës së tij ligjore, Skoro i dha fshehurazi një bashkëpunëtori të CIA-s vendndodhjen e Kaziu në Kosovë, çka çoi në arrestimin e tij në vitin 2009. Skoro pretendon gjithashtu se ka ndihmuar në parandalimin e dërgesave të uraniumit në Kosovë dhe se, pas kthimit në SHBA, ka vazhduar t’u japë informacione FBI-së dhe Departamentit të Policisë së Nju Jorkut. 1 / 3 Gjykata e kishte ndaluar deportimin e tij në Kosovë Në nëntor të vitit 2022, një gjykatës federal ndaloi deportimin e Skoros drejt Kosovës, për shkak të rrezikut të torturës dhe vrasjes së tij atje, në bazë të Konventës Kundër Torturës. Megjithatë, vendimi nuk i dha atij status të ligjshëm qëndrimi në SHBA. Avokatët e tij argumentojnë tani se, për shkak të mbrojtjes së dhënë nga gjykata në vitin 2022, ICE duhet të marrë autorizim gjyqësor përpara se ta deportojë. Gjykatësi federal Robert Kirsch i ka kërkuar qeverisë amerikane të përgjigjet ndaj kërkesës së Skoros. ICE ka pranuar kërkesën për koment nga CBS News, por nuk ka dhënë përgjigje. As CIA dhe FBI nuk kanë komentuar mbi rastin. Gruaja e tij, Susan Skoro, e cila ishte me të kur u arrestua, e cilësoi ndalimin si një tradhti. “Ai e kreu dënimin e tij. Ai pothuajse humbi jetën dhe askujt nuk i bëhet vonë. Ai meriton një falje”, tha ajo./Cbsnews.com
