Një aksident tragjik ka tronditur komunitetin e Tenesin në SHBA, pasi një makinë përplasi një grup çiklistësh që po zhvillonin një seancë stërvitore. Dy studentë të Universitetit Milligan humbën jetën, ndërsa shtatë persona të tjerë mbetën të plagosur.
Viktimat janë identifikuar si Haylan Engdahl dhe Brayden Rogers, të dy studentë të vitit të dytë dhe pjesë e ekipit të çiklizmit të Universitetit Milligan.
Sipas Patrullës Shtetërore të Autostradave të Tenesit, grupi përbëhej nga 11 çiklistë kur u godit papritur nga një automjet që drejtohej nga një 69-vjeçar.
Engdahl dhe Rogers humbën jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa shtatë prej çiklistëve u transportuan me ambulanca në spital. Dy prej tyre ndodhen në gjendje kritike.
Shoferi i automjetit, 69-vjeçari John Benfield, banues në Newland të Karolinës së Veriut, është arrestuar dhe përballet me dy akuza për vrasje të paqëllimshme me automjet dhe pesë akuza për lëndime të rënda trupore me automjet.
Prokurori i Përgjithshëm i Distriktit të Parë Gjyqësor të Tenesit, Steven Finney, tha se hetimi vijon dhe se mund të ngrihen akuza të tjera ndaj Benfield pasi të përfjë hetimi.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse shoferi ishte nën ndikimin e alkoolit apo drogës në momentin e aksidentit. Finney theksoi gjithashtu se çiklistët nuk duhet të fajësohen për përplasjen, duke i përshkruar ata si një grup me përvojë që po zhvillonte një stërvitje rutinë.
“Ky është një ekip elitar çiklizmi. Nuk është një grup anëtarësh të një klubi që mblidhen së bashku për të ngarë biçikleta. Ata e dinë çfarë po bëjnë”, deklaroi ai.
Universiteti Milligan dhe komuniteti i çiklizmit kanë shprehur dhimbjen për humbjen e dy studentëve.
USA Cycling deklaroi se ishte “thellësisht e trishtuar” nga aksidenti tragjik dhe shprehu ngushëllimet për familjet e Haylan Engdahl dhe Brayden Rogers, shokët e tyre të ekipit, trajnerët dhe gjithë komunitetin e universitetit.
“Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet e Haylan dhe Brayden, shokët e tyre të ekipit, miqtë e tyre, trajnerët e tyre dhe të gjithë komunitetin e Universitetit Milligan ndërsa ata po përballen me këtë kohë jashtëzakonisht të vështirë”, thuhej në deklaratë.
Haylan Engdahl, i cili kishte ndjekur Shkollën e Jetës Kristiane në Kenosha, Wisconsin, u përshkrua nga drejtori i shkollës, Jeff Bogaczyk, si një i ri me një personalitet të ngrohtë dhe një dashuri të madhe për jetën.
“Një person i mrekullueshëm, me një buzëqeshje ngjitëse, një personalitet magjepsës, që e donte jetën”, tha Bogaczyk për ABC7. Hetimi për aksidentin tragjik vijon, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë rrethanat e plota të përplasjes. Top Channel

