Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kap dhe u ndalua shtetasi L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shtetasi L. M. dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi K. Ç., 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Këta dy shtetas u kapën në aksin rrugor “Shkodër–Prekal”, duke lëvizur me një automjet tip “Opel”.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së shtetasit L. M., iu gjetën sasi të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe 2 celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale./ CNA Lajme ekskluzive nga CNA
Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.

