Një 48-vjeçar është vënë në pranga këtë të martë nga policia, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas njoftimit të policisë, në pranga ka rënë Bledar Buxheli, alias Bledar Çelo, 48-vjeçari i dënuar me 11 vite burgim në Itali për trafik droge. Ndërkohë, pas kapjes së tij, 48-vjeçari pritet të ekstradohet në Itali, ku do të vuajë edhe pjesën e mbetur të dënimit prej 8 vjetësh, 6 muajsh e 24 ditësh burgim. “Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, finalizuan një tjetër fazë të operacionit policor të koduar “Fast”. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara operacionale, në Lushnjë u bë i mundur lokalizimi, identifikimi, kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, i shtetasit Bledar Buxheli alias Bledar Çelo, 48 vjeç, banues në Lushnjë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Venecias, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 11 vjet burgim për veprën penale “Trafik droge”, të parashikuar nga Kodi Penal italian. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 8 vjet, 6 muaj e 24 ditë burgim. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
