Policia ka arrestuar në Vorë 41-vjeçarin Elton Andreica, i njohur edhe me mbiemrin Muça. Burime bëjnë me dije se ai u kap duke mbajtur një armë zjarri pistoletë pa leje, ndërsa gjatë ndalimit ka kundërshtuar efektivët e policisë që ishin vënë në ndjekje të tij. Gjatë kontrollit në banesë, uniformat blu gjetën edhe një jelek antiplumb.
Andreica rezulton person me precedentë penalë, i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Vjedhje me armë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Sipas burimeve, edhe në raste të mëparshme ai ka kundërshtuar efektivët e policisë gjatë ndërhyrjeve për arrestimin e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor dyshon se 41-vjeçari mund të jetë i përfshirë në aktivitete të tjera të paligjshme, përfshirë edhe shitjen e armëve. Hetimet vijojnë për të zbardhur veprimtarinë e tij dhe për të verifikuar lidhjet e mundshme me persona të tjerë.

