SHQIPËRI– Në Rumani është arrestuar Aurel Hoxhallari, i cili ishte shpallur në kërkim prej vitit 2018 për vrasjen e Devi Kasmit. Ndaj Aurel Hoxhallarit, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 5 vepra penale.
Ky i fundit dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas grek dhe disa të tjerë vranë me armë zjarri Devi Kasmin në rrugën “Kongresi i Manastrit” në Tiranë, ngjarje e regjistruar ne 29 janar 2018.
Devi Kasmi, u ekzekutua nga një ish-komando grek në vitin 2018. Devi Kasmi, personi që ishte një nga të dyshuarit për vrasjen e Franc Konomit, u ekzekutua në një atentat të mirëorganizuar mbrëmjen e datës 29 janar të vitit 2018, në Tiranë. Policia e Tiranës gjeti rreth 2.8 kg kokainë dhe një armë zjarri në banesën e tij. Menjëherë pas ngjarjes Policia tha se vrasja e Kasmit dyshohej të ishte kryer për shkak të përfshirjes së tij në trafikun e kokainës në Spanjë, ku kishte jetuar disa vite.
Devi Kasmi u qëllua për vdekje në momentin që doli nga pallati, në rrugën “Kongresi i Manastirit”, në kryeqytet. Ekzekutimi i tij u lidh nga Policia e Tiranës me atentatin që ai i kishte bërë në Spanjë Domart Konjarit, në vitin 2010. Madje Konjari u shpall në kërkim në lidhje me vrasjen.
Por gjatë hetimeve rezultoi se atentati ndaj Devi Kasmit kishte qenë i mirëorganizuar nga një grup personash, me role të përcaktuara, ku rolin e ekzekutorit e kishte një ish-komando grek, Eftimio Eftimiu.
Në maj të vitit 2023, Gjykata e Posaçme shpalli fajtor dhe dënoi me burgim të përjetshëm Aurel Hoxhallarin, i akuzuar si organizator dhe porositës i vrasjes së Devi Kasmit. Për këtë vrasje është dënuar me burgim të përjetshëm edhe ish-komando grek, Eftimio Eftimiu.
Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të bashkëpandehurin tjetër Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen. Prokuroria e Posaçme thotë se nga hetimet rezultoi se Hoxhallari ka kontaktuar ish-efektivin grek për të kryer atentatin, ndërsa përgatitja e ngjarjes ka marrë disa muaj.
Eftimio Eftimiu bashkë me Elton Halipajn i kanë bërë prit Devi Kasmit, pranë banesës së tij dhe më pas u larguan me furgon të bardhë, i cili ishte çelësi i zbardhjes së ngjarjes. Pas gjetjes së furgonit, Policia gjeti në të gjurmë ADN-je të shtetasit grek dhe nëpërmjet një kontrate shitje u arrit të personi tjetër Elton Halipaj.
Motivi i këtij krimi mbetet ende i pazbardhur nga policia ndërsa dyshohet se pas përplasjeve mes grupeve kriminale persona ende të paidentifikuar paguan për ekzekutimin e Kasmit duke kontraktuar ish-komandon grek.
Pas kryerjes së procedurave, Aurel Hoxhallari, pritet të ekstradohet nga Bukureshti në Tiranë, ku më pas do të përballet me dënimin e caktuar nga drejtësia shqiptare./abcnews.al Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! *Fokus*KryesoreAktualitet Aurel Hoxhallaridevi kasmivrasje

