Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Travel”, në kuadër të të cilit është kapur dhe arrestuar një 26-vjeçar i shpallur në kërkim, i dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim për vepra penale në fushën e narkotikëve. Në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë, të moshave 30 dhe 19 vjeç, të cilët dyshohet se e ndihmonin të dënuarin t’i shmangej kapjes nga policia. Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, operacioni u organizua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë. I arrestuari, shtetasi Roland Gjoni, 26 vjeç, banues në fshatin Bleran, Shkodër, ishte dënuar përfundimisht me vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, datë 14 tetor 2026, me 6 vite e 8 muaj burgim. Ai është shpallur fajtor për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, të kryera në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. 26-vjeçari u lokalizua nga policia teksa tentonte të largohej me një automjet, ku udhëtonin edhe shtetasit Pashk Prendi, 30 vjeç, drejtues i mjetit, dhe Ornel Sadriam 19 vjeç, pasagjer. Gjatë veprimeve të mëtejshme, policia arrestoi edhe dy personat e tjerë, banues në Fushë-Arrëz, të dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ndihmonin 26-vjeçarin t’i shmangej arrestimit. Materialet procedurale për këtë çështje do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për veprime të mëtejshme.
