Nëna dhe motra e pilotit grek që humbi jetën në rrëzimin e helikopterit në Greqi kanë vendosur t’u drejtohen autoriteteve të drejtësisë për të zbardhur rrethanat e aksidentit fatal. Sipas studios ligjore që i përfaqëson, familja synon të përcaktojë shkaqet e sakta që çuan në vdekjen e pilotit dhe të kërkojë përgjegjësi nga personat që mund të kenë kontribuar në ngjarje.
Në njoftim bëhet e ditur se në orët në vijim do të depozitohet një kallëzim penal në mbështetje të akuzave ndaj të gjithë atyre që rezultojnë përgjegjës.
“Nëna dhe motra e pilotit të ndjerë grek të helikopterit Bell, i cili operonte në zonën e Porto Germenos, kanë autorizuar studion tonë ligjore të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore pranë Prokurorisë së Athinës, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e padrejtë të djalit dhe vëllait të tyre, Aristotelit, si dhe ndëshkimin e përgjegjësve”, thuhet në deklaratë.
Më tej, studioja ligjore shton se do të paraqesë një deklaratë në mbështetje të akuzës ndaj kujtdo që, me veprim ose mosveprim, mund të ketë kontribuar në vdekjen e pilotit.
Familja e përshkruan pilotin si një profesionist të përkushtuar, i cili luftoi me vetëmohim kundër zjarreve për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe pronat e tyre. Top Channel

