Egnatia është mposhtur me rezultatin 3-1 nga Shamrock Rovers në Dublin, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të UEFA Europa League. Shqipërisë do të kërkojnë tashmë përmbysjen në takimin e kthimit, që do të zhvillohet më 13 gusht në Rrogozhinë. Vendasit e nisën sfidën me ritëm të lartë, duke ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj portës së Egnatias. Portieri Alen Dajsinani u shfaq vendimtar në disa raste, duke ndalur goditjet e irlandezëve dhe duke mbajtur skuadrën në lojë gjatë minutave të para.
Rezistenca e rrogozhinasve u thye në minutën e 29-të, kur një gabim në prapavijë i Ildi Grudës solli një penallti për Shamrock Rovers. Burke u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe kaloi vendasit në avantazh.
Egnatia reagoi para pushimit. Në minutën e 40-të, pas një ndërhyrjeje të parregullt në zonë dhe konfirmimit të VAR-it, arbitri akordoi penallti për skuadrën shqiptare. Jaime fillimisht u ndal nga portieri, por në topin e kthyer nuk gaboi, duke barazuar rezultatin në 1-1. Megjithatë, pjesa e dytë ishte plotësisht në favor të Shamrock Rovers. Irlandezët rikthyen epërsinë në minutën e 55-të me Roberto Lopes, ndërsa vetëm dy minuta më vonë Aaron Green realizoi edhe golin e tretë, duke i dhënë vendasve një avantazh të rëndësishëm.
Në vazhdim, Shamrock krijoi edhe raste të tjera për të thelluar diferencën, por Dajsinani ishte sërish protagonist me disa pritje vendimtare, duke shmangur një humbje edhe më të thellë dhe duke mbajtur gjallë shpresat e Egnatias për ndeshjen e kthimit. Sfida e parë mbyllet me fitoren 3-1 të Shamrock Rovers. Edhe pse përballë një kundërshtari që tregoi cilësi të larta, Egnatia ruan ende shpresat për të përmbysur disavantazhin në Rrogozhinë, ku para tifozëve të saj do të synojë të shkruajë një tjetër faqe historike në arenën europiane. Top Channel

