Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një takim në Bukuresht me ministrin e Ekonomisë, Digjitalizimit, Sipërmarrjes dhe Turizmit të Rumanisë, Daniel-Cătălin Zamfir, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mundësitë për të shndërruar marrëdhëniet e mira politike mes Shqipërisë dhe Rumanisë në një partneritet më të fortë ekonomik, përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare, tërheqjes së investimeve dhe bashkëpunimit të drejtpërdrejtë mes bizneseve. Përmes një reagimi në rrjetin social X, Hoxha bëri të ditur se ekziston një potencial i konsiderueshëm ende i pashfrytëzuar në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Sipas tij, gjatë bisedimeve u identifikuan mundësi konkrete bashkëpunimi në sektorin e teknologjisë së informacionit, shërbimeve digjitale, industrisë prodhuese dhe turizmit. “Prioriteti tani është që këtë potencial ta shndërrojmë në rezultate konkrete, përmes një agjende të dedikuar biznesi për vitin 2027, angazhimit të drejtpërdrejtë B2B dhe partneriteteve që sjellin përfitime të prekshme për të dyja ekonomitë”, u shpreh ministri Hoxha. Vizita e kryediplomatit shqiptar në Rumani përfshiu edhe takime me ministrin e Jashtëm, Dan Neculăescu, si dhe me ministrin e Investimeve dhe Projekteve Evropiane, Alexandru-Mihai Ghigiu. Në këto takime, vëmendje e veçantë iu kushtua mbështetjes teknike që Rumania mund t’i ofrojë Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Forcimi i bashkëpunimit ekonomik dhe mbështetja në rrugën drejt Bashkimit Evropian mbeten ndër drejtimet kryesore të agjendës së marrëdhënieve mes Tiranës dhe Bukureshtit.
