Lajme Zone
Hollywood-i hyn në një epokë të re, Paramount merr Warner Bros
EkonomiPamfleti

Hollywood-i hyn në një epokë të re, Paramount merr Warner Bros

Marrëveshja pritet të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në industrinë e filmit, televizionit dhe transmetimit online. Kompania e re do të quhet Skydance Corporation dhe do të kontrollojë një portofol të gjerë studiosh, kanalesh televizive, platformash dhe markash të njohura në mbarë botën.

Foto ilustruese Një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë e industrisë së argëtimit bashkon nën të njëjtën kompani Warner Bros, Paramount, HBO, CNN, CBS dhe disa prej ekskluziviteteve më të njohura të kinemasë dhe televizionit. Bota e Hollywood-it hyn në një epokë të re. Paramount Skydance ka përfunduar zyrtarisht marrjen e Warner Bros Discovery për 110 miliardë dollarë, duke bashkuar dy prej studiove më të mëdha dhe më historike amerikane në një grup të vetëm mediatik.

Marrëveshja pritet të ndryshojë ndjeshëm ekuilibrat në industrinë e filmit, televizionit dhe transmetimit online. Kompania e re do të quhet Skydance Corporation dhe do të kontrollojë një portofol të gjerë studiosh, kanalesh televizive, platformash dhe markash të njohura në mbarë botën.

Nën të njëjtën çati do të jenë tashmë Warner Bros, Paramount, HBO, CBS, CNN, Nickelodeon, Showtime, Comedy Central, DC Studios dhe Food Network. Grupi do të kontrollojë gjithashtu disa prej ekskluziviteteve më të vlefshme të industrisë, mes tyre Harry Potter, Game of Thrones, The Lord of the Rings dhe Mission: Impossible.

Përmasat e bashkimit shkojnë përtej kinemasë. Ai prek drejtpërdrejt tregun e streaming-ut, televizionin tradicional dhe sektorin e lajmeve, duke vendosur nën kontrollin e së njëjtës kompani një sasi të madhe përmbajtjeje dhe miliona shikues në të gjithë botën.

David Ellison, kryetar dhe drejtor ekzekutiv i Skydance, e cilësoi përfundimin e marrëveshjes si një moment “historik” për industrinë. Sipas tij, synimi është krijimi i një konkurrenti më të fuqishëm, me burimet dhe shtrirjen e nevojshme për të prodhuar përmbajtje në çdo zhanër dhe platformë.

Struktura drejtuese do të ndryshojë gjithashtu. Ellison do të përqendrohet te strategjia dhe teknologjia, ndërsa ish-drejtuesi i Mattel, Ynon Kreiz, do të jetë bashkëdrejtor ekzekutiv dhe do të mbikëqyrë operacionet e përditshme dhe integrimin e kompanive.

Casey Bloys, i cili ka drejtuar HBO dhe përmbajtjen e Max, do të marrë një rol qendror në aktivitetin që lidhet me streaming-un. Analistët vlerësojnë se kjo praktikisht i jep drejtuesve të HBO-së një pozicion të rëndësishëm në përcaktimin e strategjisë së përmbajtjes së grupit të ri.

Por krijimi i këtij gjiganti vjen edhe me sfida. Skydance Corporation trashëgon një nivel të konsiderueshëm borxhi dhe do të duhet të rrisë fitimet dhe të ulë kostot. Analistët paralajmërojnë se kërkimi i kursimeve mund të ndikojë te investimet në prodhime të reja dhe, potencialisht, te cilësia e përmbajtjes.

Rruga drejt marrëveshjes ishte e gjatë dhe e debatueshme. Netflix kishte arritur fillimisht një marrëveshje për blerjen e një pjese të Warner Bros Discovery, përpara se Paramount Skydance të hynte në garë dhe të niste një betejë ofertash. Netflix u tërhoq më pas.

Bashkimi hasi edhe kundërshtime nga autoritetet amerikane. Rreth një duzinë shtetesh, të udhëhequra nga Kalifornia, ngritën padi për ta bllokuar, me argumentin se përqendrimi i kaq shumë aseteve mediatike mund të dobësonte konkurrencën, të rriste çmimet për konsumatorët dhe të dëmtonte kinematë dhe shpërndarësit.

Një marrëveshje e arritur muajin e kaluar mes Paramount dhe shteteve amerikane i hapi përfundimisht rrugën transaksionit. Si pjesë e saj, kompania mori përsipër një sërë detyrimesh që lidhen me prodhimin kinematografik dhe pavarësinë e mediave që tashmë kontrollon.

Një nga çështjet më të ndjeshme është e ardhmja e CNN dhe CBS News. Paramount ka pranuar të krijojë një bord për pavarësinë editoriale, me synimin që dy organizatat e lajmeve të ruajnë raportimin e pavarur dhe të bazuar në fakte.

Mark Thompson, ish-drejtor i përgjithshëm i BBC-së, do të vazhdojë si kryetar dhe kryeredaktor i CNN Worldwide, ndërsa Bari Weiss do të mbetet kryeredaktore e CBS News.

Marrëveshja vendos edhe kushte të forta për prodhimin e filmave. Paramount duhet të nxjerrë të paktën 30 filma në vit dhe janë vendosur kufizime që kjo kuotë të mos plotësohet thjesht përmes prodhimeve me buxhet minimal ose filmave të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Nëse kompania nuk e përmbush kuotën vjetore, ajo do të detyrohet të shesë pjesën prej 49% që zotëron në Miramax. Gjithashtu, të paktën 20% e prodhimit të filmave duhet të realizohet në Shtetet e Bashkuara gjatë dy viteve të para, ndërsa kjo përqindje duhet të kalojë 30% gjatë tre viteve pasuese.

Bashkimi sjell së bashku edhe dy histori më shumë se njëqindvjeçare të kinemasë amerikane. Warner Bros ka fituar mbi 100 çmime Oscar gjatë historisë së tij, ndërsa Paramount, i themeluar në vitin 1912, numëron gjithashtu më shumë se 100 çmime të Akademisë dhe filma që kanë shënuar historinë e Hollywood-it.

Tashmë këto dy trashëgimi do të zhvillohen nën të njëjtën kompani. Me një marrëveshje prej 110 miliardë dollarësh dhe me kontrollin mbi disa prej markave më të fuqishme të filmit, televizionit, streaming-ut dhe lajmeve, Skydance Corporation bëhet një prej aktorëve kryesorë të industrisë globale të argëtimit, ndërsa Hollywood-i hyn në një fazë të re konsolidimi.paramount warner bros Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kulture Miuccia Prada përmbys rregullat e modës në Paris, nga atletet me kostume te reçipetat që bëhen veshje luksoze 6 Tetor 2026, 14:0814:08Kulture Kush janë grimcat misterioze që vijnë nga hapësira? Francis Halzen fiton Nobelin në Fizikë 2026 6 Tetor 2026, 13:4413:44Kulture Franca zbulon Mary Cassatt-in 100 vjet pas vdekjes, Musée d'Orsay rishkruan historinë e impresionizmit 6 Tetor 2026, 12:5112:51Kulture Kennedy Center mbyllet mes betejës për emrin e Trump, kriza kulturore kalon Atlantikun 5 Tetor 2026, 19:3419:34Kulture Nga Malësia e Veriut në pullën postare/ Xhubleta bëhet simbol i ri i filatelisë shqiptare 5 Tetor 2026, 14:4914:49Kulture “Kontrollojnë” trurin me dritë/ Tre shkencëtarë shpallen fitues të Nobelit në Mjekësi 2026 5 Tetor 2026, 12:4612:46Kulture