Albin Kurti Në orët vendimtare për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë, Albin Kurti ka dalë me një ofertë të re për PDK-në. Kryeministri pranon që ligji për Gjykatën Speciale të votohet përpara presidentit, por kërkon që Bedri Hamza të garantojë publikisht votat për kreun e shtetit. Pas tërheqjes së Bekim Sejdiut, në tryezë rikthehen emrat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit. Kryeministri Albin Kurti ka ndryshuar ofertën e tij në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik në Kosovë, ndërsa palët vijojnë të mos kenë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe votimin e ligjit që lidhet me Gjykatën Speciale.
Në një konferencë të dytë për shtyp, Kurti është shprehur i gatshëm të pranojë kërkesën e PDK-së që ligji për Specialen të votohet i pari. Por këtë lëvizje ai e ka kushtëzuar me një zotim publik nga kreu i PDK-së, Bedri Hamza, se partia e tij do të sigurojë më pas votat për zgjedhjen e presidentit.
Oferta e re ndryshon rendin e propozuar vetëm pak më herët nga Kurti. Në daljen e tij të parë, kryeministri e kishte vendosur zgjedhjen e presidentit si çështjen më urgjente, duke propozuar që kreu i shtetit të zgjidhej fillimisht dhe që ligji për Specialen të votohej të enjten.
Por PDK ka kërkuar të kundërtën: votimin me urgjencë të ligjit për Gjykatën Speciale. Pikërisht rendi i këtyre dy çështjeve është kthyer në një nga pikat që ka penguar arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.
Në daljen e dytë, Kurti ka bërë një hap drejt kërkesës së PDK-së, duke pranuar që ligji të kalojë i pari, por duke kërkuar në këmbim garanci politike për presidentin. Sipas propozimit të tij, Bedri Hamza duhet të deklarojë publikisht se PDK do t'i japë votat e nevojshme kandidaturës për kreun e shtetit.
“PDK-ja e refuzoi ofertën tonë që ta mbështesim Beskim Sejdiun. Besoj se, në rast të një përgjigjeje pozitive nga ana e tyre, Sejdiu do të rikthehej në garë. Përveç tij, natyrisht, i kemi edhe dy emra të tjerë, të cilët gjatë këtij viti i kemi prezantuar si kandidatë për president – Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin. Të dy janë ende kandidatë, nëse ka interesim nga opozita. Propozimi më i ri është ky: meqë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk po arrin të takohet me ne, le të dalë publikisht sonte dhe të zotohet se i gjithë grupi parlamentar i PDK-së do të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit – qoftë për, abstenim apo kundër. Pas këtij zotimi, ne ua votojmë leximin e dytë të ligjit, nëse ata mendojnë se nuk përbën problem mosrespektimi i afatit 72-orësh mes dy leximeve. Ne ua votojmë ligjin dhe menjëherë pas kësaj kalojmë në votimin për presidentin”, ka thënë Kurti.
Ngërçi është thelluar edhe nga zhvillimet rreth kandidaturave për president. Bekim Sejdiu ka konfirmuar tërheqjen nga gara, duke bërë të ditur se për vendimin kishte njoftuar si Kurtin, ashtu edhe LDK-në.
Me Sejdiun jashtë garës, Kurti ka rikthyer në tryezë dy emrat që kanë qenë më herët pjesë e diskutimeve: Glauk Konjufcën dhe Feride Rushitin.
Situata mbetet e komplikuar edhe për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive. Kurti kishte deklaruar më herët se në atë moment nuk po zhvilloheshin takime, duke thënë se LDK nuk i kishte të gjitha votat e nevojshme, ndërsa PDK nuk po pranonte të takohej.
Në këtë situatë, dy çështjet janë lidhur tashmë drejtpërdrejt me njëra-tjetrën: PDK kërkon votimin e ligjit për Specialen, ndërsa Kurti kërkon votat për presidentin. Me ofertën e fundit, kryeministri pranon që kërkesa e PDK-së të realizohet e para, por vetëm nëse Hamza merr publikisht përsipër angazhimin për votat që do të pasojnë.
Koha për kompromis është e kufizuar. Mesnata e 6 tetorit është afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në mungesë të zgjedhjes së kreut të shtetit brenda afatit, vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja.kurti Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Kosova “Albin, eja në Kuvend”, Çitaku thirrje Kurtit: Votojeni ligjin, kanë mbetur vetëm pak orë 6 Tetor 2026, 19:0619:06Kosova Kurti kërkon votat për Presidentin, Hamza i mbyll derën: Nuk bëjmë pazar me Specialen 6 Tetor 2026, 17:4417:44Kosova LVV kërkon sqarim nga Kushtetuesja: Çfarë ndodh me kompetencat presidenciale pas mandatit të Haxhiut? 6 Tetor 2026, 17:3217:32Kosova Thellohet kriza në Kosovë, Bekim Sejdiu tërhiqet nga gara për Presidentin 6 Tetor 2026, 16:4116:41Kosova Beteja për kompetencat e Speciales zbret në rrugët e Prishtinës; çfarë shkruajnë mediat ndërkombëtare 6 Tetor 2026, 15:4315:43Kosova Kriza në Kosovë, Kurti: Presidenti emergjencë, ta zgjedhim sot dhe të enjten votojmë Specialen 6 Tetor 2026, 15:3615:36Kosova

