390 maturantë kanë nisur studimet bachelor në Fakultetin “Siguria dhe Hetimi” në Akademinë e Sigurisë, pas një procesi konkurrues dhe transparent. Në ceremoninë e fillimit të vitit akademik ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, i cili u shpreh se përfshirja e të rinjve në Policinë e Shtetit është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e institucionit.
“Policisë së Shtetit i duhet brezi i ri, energjia, mentaliteti dhe fytyra e re, komponentë që ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e qytetarëve te Policia”, deklaroi Hita gjatë fjalës së tij.
Sipas tij, interesi i maturantëve për këto studime ka qenë i lartë gjatë tre viteve të fundit, që prej hapjes së Akademisë së Sigurisë për të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin këtë karrierë. “Mijëra të rinj e të reja kanë zgjedhur Fakultetin ‘Siguria dhe Hetimi’ për të ndjekur studimet Bachelor dhe sot, pas një procesi konkurrues dhe transparent, janë 390 maturantë që ndjekin këto studime”, tha ai.
Hita vlerësoi gjithashtu zhvillimin e Akademisë së Sigurisë, duke theksuar bashkëpunimin e saj me akademi prestigjioze në rajon, Evropë dhe SHBA, si dhe përmirësimin e ambienteve dhe laboratorëve në dispozicion të studentëve.
“Akademia e Sigurisë është zhvilluar në çdo drejtim”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm, duke shtuar se sot Policia e Shtetit është rritur profesionalisht dhe është pjesë e hetimeve dhe operacioneve ndërkombëtare.
Duke iu drejtuar studentëve të rinj, Hita theksoi se studimet nuk duhet të shihen vetëm si një profesion, por si përgatitje për një mision në shërbim të qytetarëve dhe vendit.
“Sepse Policia e Shtetit nuk është thjesht profesion, por është mision. Dhe për të përmbushur këtë mision duhen këmbëngulje, vullnet, dije, përgatitje fizike, disiplinë, respekt për njëri-tjetrin dhe për pedagogët”, tha ai.
Sipas tij, pas përfundimit të studimeve, studentët do të kenë jo vetëm titullin e oficerit të Policisë së Shtetit, por edhe përgjegjësinë për t’u shërbyer qytetarëve dhe për të mbrojtur sigurinë dhe ligjin.
“Pas tri vitesh do të jeni oficerë të Policisë së Shtetit, një titull që ju jep privilegjin, por mbi të gjitha përgjegjësinë, për t’iu shërbyer qytetarëve, sigurisë dhe vendit”, deklaroi Hita.
Ai garantoi se Akademia e Sigurisë do të vijojë të jetë një nga prioritetet e tij, duke e cilësuar atë si “motorin kryesor të rigjenerimit të Policisë, të shkollimit, trajnimit dhe përgatitjes së brezave të rinj të Policisë së Shtetit”.
Në fund të fjalës së tij, Hita u bëri thirrje studentëve që të jenë aktivë dhe të komunikojnë për çdo problem apo ide që mund të ndihmojë në përmirësimin e Akademisë.
“Mos nguroni të më shkruani për çdo shqetësim apo ide për përmirësim. Duke folur, komunikuar dhe duke dhënë kontributin tuaj në zgjidhjen e problematikave kudo që ato shfaqen”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i uroi studentët për fillimin e këtij rrugëtimi dhe i porositi që gjatë viteve të studimit të përqendrohen te dija, disiplina dhe përgatitja profesionale, me qëllim që në përfundi Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Aktualitet Akademia e SigurisëPolicia e shtetitSkënder Hita

