Foto ilustruese/ Katër muaj protesta paqësore, akuza për ndikim iranian, financime të huaja dhe përqeshje nga pushteti. Pas përplasjeve të 13 tetorit, protestuesve po u thuhet se as dhuna nuk sjell ndryshim. Klevi Metaj, i gjakosur pas përballjes me gjashtë policë, është fotografia më e fortë e revoltës Kur flamingot dilnin me megafonë para Kryeministrisë, i përqeshnin si të paaftë, si njerëz që nuk ndryshonin dot asgjë me fjalime e pankarta. Kur mbushnin rrugët me qindra mijëra qytetarë, u përmendeshin armiqtë e huaj, iranianët, Sorosi, sorrat dhe korbat. Dje, më 13 tetor, kur protesta shpërtheu në përplasje të dhunshme me policinë, filloi një tjetër leksion publik. Me dhunë nuk ndryshohet asgjë!
Shqiptarët e kanë një shprehje të vjetër për këtë histori, “Hip se të vrava, zbrit se të vrava”.
Prej 30 majit, lëvizja e flamingove protestoi kundër betonizimit të Zvërnecit, aferave korruptive dhe mënyrës si qeveriset vendi. Qytetarët kërkonin largimin e Edi Ramës, por kundërshtonin edhe klasën e vjetër politike. Marshuan, kënduan, mbajtën fjalime dhe u kthyen sërish në shesh të nesërmen. Më 5 korrik, dhjetëra mijëra njerëz mbushën Tiranën.
Gjatë gjithë kësaj kohe, pushteti u mor jo pak me etiketimin e protestuesve. Më 5 qershor, Edi Rama e lidhi fushatën kundër projektit të Zvërnecit me një sulm hibrid me origjinë nga Irani. Më 18 qershor, përdori krahasimin me “sorrat dhe korbat”, duke i paraqitur qytetarët paqësorë si njerëz që po manipuloheshin nga grupe të tjera.
Më 22 qershor, Taulant Balla shkoi edhe më tej. Dritan Goxhajn, i cili lexoi pesë kërkesat e protestuesve, e quajti “zëdhënës” të Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Në shtator, Rama foli edhe për njerëz të paguar nga Fondacioni Soros në mjedisin e lidhur me protestën. Një lëvizje që kishte nisur për të kundërshtuar një projekt ndërtimi përfi duke u përballur me akuza e insinuata që shkonin nga interesat e huaja deri te financimet politike.
Përballë kësaj retorike, protestuesit vazhduan të mblidheshin për muaj të tërë. Njerëz të zakonshëm, studentë, të rinj e qytetarë të pakënaqur dëgjonin vazhdimisht se me fjalime nuk rrëzohej askush, se megafonët nuk prodhonin ndryshim dhe se revolucioni i tyre ishte kthyer në një shfaqje të pafuqishme.
Më 13 tetor, pamjet nga Tirana ndryshuan rrënjësisht. Në vend të fjalimeve u panë përplasje me policinë, xhama të thyer, gurë, gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë. Protesta që nisi para Ministrisë së Arsimit u përhap drejt institucioneve të tjera. Mes pamjeve më të forta ishte ajo e studentit Klevi Metaj, i cili u përball fizikisht i vetëm me gjashtë efektivë të FNSH-së, të pajisur me shkopinj gome. Më pas ai u shfaq i prangosur dhe me fytyrën e gjakosur.
Metaj u kthye menjëherë në një nga personazhet më të komentuar të revoltës. Pamjet e përballjes së tij dhe gjendja në të cilën u shfaq pas ndërhyrjes policore e zhvendosën diskutimin edhe te mënyra si shteti e përdor forcën ndaj qytetarëve.
Pikërisht pas kësaj dite nisi të qarkullojë edhe teoria se protesta e dhunshme i shërben Edi Ramës. Bashkë me të erdhën deklaratat se dhuna nuk ndryshon asgjë, se protestuesit po gabojnë me këtë mënyrë reagimi dhe se zemërimi në rrugë vetëm sa dëmton kauzën e tyre.
Këtu fillon kontradikta.
Katër muaj me megafonë nuk mjaftuan që kërkesat e flamingove të zinin vendin kryesor në debatin politik. Përkundrazi, vëmendja shpesh shkonte te kush i drejtonte, kush i paguante, kush fshihej pas tyre dhe sa të paaftë ishin për të prodhuar ndryshim. Tani që zemërimi ka marrë përmasa të tjera, debati është përqendruar te xhamat e thyer dhe te pamundësia për të arritur rezultate përmes dhunës.
Goditja e policëve dhe shkatërrimi i pronës kanë përgjegjësit e tyre. Edhe ndërhyrjet e dhunshme ndaj protestuesve kanë përgjegjësit e tyre. Asnjëra palë nuk mund të fshihet pas uniformës, turmës apo kauzës politike. Pyetja që po lihet jashtë diskutimit është se çfarë ndodhi gjatë katër muajve kur protesta zhvillohej pa përplasje të kësaj natyre.
Përse nuk u dëgjua me të njëjtin intensitet zemërimi i atyre që kërkonin llogari për lejet e ndërtimit, pronat publike dhe interesat ekonomike që qëndrojnë pas projekteve të mëdha? Përse një lëvizje qytetare u përball me etiketime për armiq të huaj dhe njerëz të manipuluar, ndërsa sot po diskutohet pothuajse vetëm sjellja e protestuesve?
Dhe çfarë përgjigjeje u jepet atyre që për muaj të tërë zgjodhën rrugën paqësore?
Në fillim u thanë se nuk ndryshonin gjë duke folur. Sot u thuhet se nuk ndryshojnë gjë as duke u përplasur. Në të dyja rastet, vëmendja largohet nga kërkesat e tyre dhe përqendrohet te mënyra si protestojnë.
Klevi Metaj, me fytyrën e gjakosur pas përballjes me gjashtë efektivë, e sjell sërish në qendër pyetjen që e ka shoqëruar Revolucionin e Flamingove prej ditës së parë. A po kërkohet që qytetarët të protestojnë vetëm në një mënyrë që nuk shqetëson askënd në pushtet, ndërsa çdo formë tjetër kundërshtimi shpallet e gabuar?
Nëse qytetarëve u thuhet se me fjalime nuk ndryshojnë asgjë dhe me përplasje po i shërbejnë pushtetit, a po diskutohet realisht mënyra e protestës, apo po zhvlerësohet vetë e drejta për të protestuar?
Hip se të vrava, zbrit se të vrava! Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Forum Kur proteston rinia, bie qeveria! 14 Tetor 2026, 08:5008:50Forum Nga flamingot te gurët 13 Tetor 2026, 19:1919:19Forum Muzeu hebraik në Vlorë, një debat që shkon përtej godinës dhe prek identitetin kombëtar 13 Tetor 2026, 11:3511:35Forum Elitat në bankete, qytetarët në rrugë! 13 Tetor 2026, 11:2711:27Forum Hetimet e SPAK dhe takimi i Ramës me djalin e dajës së Ron Yeffet 12 Tetor 2026, 19:5119:51Forum Karma e zgjerimit të skandalit LaCivita në median amerikane 12 Tetor 2026, 17:2417:24Forum

