Lajme Zone
Hijet mbi autostradën Milot–Balldren: Tenderi i kurdisur dhe misteri i tri ofertave identike prej 364.7 milionë eurosh
PolitikëPamfleti

Hijet mbi autostradën Milot–Balldren: Tenderi i kurdisur dhe misteri i tri ofertave identike prej 364.7 milionë eurosh

Asnjë euro më pak se vlera që kishte parashikuar Ministria e Infrastrukturës. Asnjë ndryshim mes ofertave financiare. Tri zarfe dhe një çmim i vetëm, i njëjtë deri tek euro e fundit.

Foto nga projekti / Të tre konkurrentët propozuan të njëjtën vlerë, 364,732,924 euro, deri në euron e fundit. Ministria skualifikoi dy prej tyre dhe shpalli fitues bashkimin e drejtuar nga “Salillari”, ndërsa regjistri publik ende nuk paraqet kontratën, afatin e ndërtimit dhe planin financiar... Tri bashkime kompanish hynë në garën për koncesionin 35-vjeçar të autostradës Milot–Balldren. Secili prej tyre paraqiti të njëjtën ofertë: 364,732,924 euro pa TVSH.

Asnjë euro më pak se vlera që kishte parashikuar Ministria e Infrastrukturës. Asnjë ndryshim mes ofertave financiare. Tri zarfe dhe një çmim i vetëm, i njëjtë deri tek euro e fundit.

Në një procedurë që qeveria e quan konkurruese, kompanitë nuk konkurruan me çmimin. Shteti përcaktoi vlerën, ndërsa të tre ofertuesit e pranuan atë të plotë. Ministria skualifikoi dy bashkime dhe i dha 93 pikë nga 100 bashkimit të përbërë nga “Salillari”, “Alb Tiefbau”, “InfraKonsult” dhe “Er­ald-G”.

Bashkimi “4 A-M”, “Yüksel İnşaat”, “Seed Consulting” dhe “Transport Highway Consulting” humbi garën sepse nuk zgjati vlefshmërinë e sigurimit të ofertës. Ministria skualifikoi edhe bashkimin A.N.K, “Gjoka Konstruksion” dhe “A&E Engineering”, duke renditur mangësi në kapitalet e veta, planin e biznesit, personelin teknik dhe dokumentacionin për ndërtimin.

Pas këtyre skualifikimeve mbeti vetëm bashkimi i drejtuar nga “Salillari”, me po atë çmim që kishte caktuar shteti.

Pyetja kryesore nuk lidhet vetëm me emrin e fituesit. Ajo lidhet me vetë garën: si mund të prodhojnë tri kompani të ndryshme të njëjtën ofertë prej 364,732,924 eurosh, pa devijuar as me një euro? Nëse dokumentet e tenderit e trajtonin këtë shumë si fond maksimal, kompanitë mund të ofronin më pak dhe të konkurronin financiarisht. Nëse autoriteti e kishte kthyer shumën në një çmim të pandryshueshëm, atëherë publiku duhet të mësojë se çfarë vlere pati konkurrenca dhe mbi cilat elemente u zgjodh fituesi.

Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, njoftoi më 5 qershor 2026 se ministria kishte shpallur fituesin. Buletini i prokurimeve e publikoi zyrtarisht emrin e tij vetëm më 20 korrik, 45 ditë më vonë.

Ministria duhet të sqarojë se çfarë vendimi kishte marrë komisioni më 5 qershor, kur e përfi vlerësimin dhe pse publikimi zyrtar erdhi pas një muaji e gjysmë. Procesverbalet e komisionit do të tregonin nëse ministri njoftoi një vendim të përfunduar apo parapriu procedurën administrative.

Edhe pas shpalljes së fituesit, të dhënat kryesore mungojnë.

Regjistri i Open Procurement Albania nuk paraqet datën e lidhjes së kontratës, vlerën përfundimtare të kontraktuar, afatin konkret të ndërtimit, ndarjen e pjesëmarrjes ndërmjet katër kompanive dhe planin financiar të ofertës fituese.

Autoriteti ka shpallur fituesin, por regjistri publik nuk provon ende se palët kanë nënshkruar kontratën. Publiku njeh emrat e kompanive dhe shumën e parashikuar, por nuk njeh detyrimet përfundimtare që secila palë ka marrë përsipër.

Ky informacion nuk përbën hollësi teknike. Kontrata duhet të tregojë kur nis koncesioni 35-vjeçar, sa kohë ka privati për ndërtimin, çfarë penaliteti paguan për vonesat, si ndahet projekti mes kompanive, sa kapital vendos secila dhe cilat institucione financiare do ta mbështesin investimin.

Ajo duhet të tregojë gjithashtu tarifat e kalimit, formulën e rritjes së tyre dhe garancinë që shteti mund t’i japë koncesionarit nëse trafiku nuk arrin parashikimet. Pa këto të dhëna, askush nuk mund të llogarisë detyrimin real që projekti u ngarkon qytetarëve dhe buxhetit.

Ministria thotë se nga shuma prej 364.7 milionë eurosh, rreth 182.5 milionë euro mbulojnë ndërtimin. Projektimi kushton 3.65 milionë euro, sistemi elektronik i pagesës 10.12 milionë, operimi rreth 84.98 milionë dhe mirëmbajtja 83.43 milionë euro.

Pra, përtej ndërtimit, kontrata parashikon rreth 168.4 milionë euro për operimin dhe mirëmbajtjen. Publiku duhet të dijë çfarë shërbimesh konkrete do të paguajë me këtë shumë, sa shpesh do të kryhen ndërhyrjet dhe si do ta kontrollojë shteti zbatimin e tyre.

Milot–Balldreni ka kaluar tetë vjet mes propozimeve të pakërkuara, kontratave të dështuara, anulimeve dhe tenderëve të përsëritur. Qeveria ia dha fillimisht projektin A.N.K-së në vitin 2018. Projekti nuk nisi. Qeveria e anuloi dhe hapi një procedurë tjetër, të cilën e mbylli pa fitues në gusht 2025. Më pas shpalli garën e re, ku të tre ofertuesit paraqitën pikërisht të njëjtën shumë.

Pas gjithë këtij historiku, qeveria nuk mund t’i kërkojë publikut të mjaftohet me një emër dhe një njoftim.

Ministria duhet të publikojë kontratën, planin financiar, raportin e plotë të pikëzimit dhe procesverbalet e komisionit. Deri atëherë mbeten dy fakte: të tre konkurrentët ofruan të njëjtin çmim dhe fituesi mori të gjithë vlerën që kishte parashikuar shteti.

Në një garë të vërtetë, konkurrentët përpiqen ta ulin çmimin ose ta rrisin përfitimin publik. Në Milot–Balldren, çmimi nuk lëvizi as një euro. Lëvizi vetëm emri i fituesit./Pamfleti milot-balldren tenderi i kurdisur misteri i tri ofertave identike Dokumenta bashkëngjitur Lini një Përgjigje Anuloje përgjigjen Anti-Mafia Jeniçeri i Edi Ramës zbarkon me beton në Apoloni, Blendi Gonxhja i hap rrugën “Rozafa Agroturizëm” të Gjergj Lucës në zonën arkeologjike 26 Gusht 2026, 12:3312:33Anti-Mafia Rrjeti i pastrimit të parave të Neim Fejzullës: si "Doris FLOWERS", Primo Hotel dhe ''La Fortezza" legalizojnë miliona euro nga droga dhe cell-center-at 25 Gusht 2026, 14:0014:00Anti-Mafia Delina blen 3 makina luksoze: një për vete, dy për vartëset, nga kompania e familjes së kryebashkiakes së Durrësit 25 Gusht 2026, 10:4810:48Anti-Mafia Andis Salla, peshku i radhës i Gjergj Lucës: si ministri i Bujqësisë po ia dorëzon edhe Fierzën trafikantëve 24 Gusht 2026, 13:2613:26Anti-Mafia Shteti në gjunjë para Bekim Bulicës, kapobanda i ‘Principotes’ gjithmonë një hap para prangave 24 Gusht 2026, 10:2710:27Anti-Mafia Bes-forti i Edit Ramës i jep 9.6 milionë Euro paradhënie izraelitit Ron Yeffet, për makinat e IKMT-së 23 Gusht 2026, 15:0315:03Anti-Mafia