Gazetari Arbër Hitaj ka folur në Review lidhur me heqjen e statusit “Non Grata” për Sali Berishën, të cilin Hitaj e quan një zhvillim pozitiv. “Ndërsa për të folur për non grata-n e zotit Berisha, është një zhvillim shumë i fortë, shumë pozitiv për atë personalisht, sepse në radhë të parë edhe ne si shqiptarë, kur ai që ka emrin ish-kryeministri, shpallesh non grata dhe pengim i demokracisë, është një lajm i rëndë për atë që ka qenë në krye të vendit për tetë vite”, tha ai. Hitaj ndër të tjera ngre pyetje sa i përket transparencës së fondeve të përdorura për lobim në SHBA. “Ky është hapi i parë dhe vlerësimi i parë. Por vlerësimi i dytë është: A ka patur transparencë në ato pagesa që janë bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Sepse janë paguar miliona dollarë nga një individ i cili thuhet që e bëri për bamirësi, ishte një patriot i vërtetë, dhe këto lekë nuk i dha për të ndërtuar një spital apo për të ndërtuar një rrugë, por këto para u shpenzuan që të kishte lobim në Uashington për çështjen e zotit Berisha. Këtu nuk shkon”, thekson Hitaj. Sipas tij, fakt mbetet se janë shpenzuar shuma të konsiderueshme parash për të ndikuar te vendimmarrja amerikane. “Nëse zoti Rama në mënyrë hipotetike ka harxhuar 10 milionë dollarë që zoti Berisha të shpallej non grata, zoti Berisha ka harxhuar të paktën 30 milionë dollarë që t’ia heqin non gratan. Pra gjithsesi, në fund të ditës, ajo që dimë e sigurt është që Partia Demokratike ka harxhuar shumë para për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Arbër Hitaj.
