Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit janë paraqitur gjatë 4 ditëve të fundit në Qendrën Shëndetësore të qytetit, me simptoma helmimi, që dyshohet se iu është shkaktuar nga ndotja e ujit të pijshëm. Një ditë më parë, banorët denoncuan rastin për News24, duke bërë me dije se uji i pijshëm mbante erë të rëndë, ndërsa autoritetet nuk kishin marrë asnjë masë, pavarësisht ankesave të tyre. Strukturat e Shëndetit Publik dhe ato të Higjienës kanë marrë kampionë të ujit të pijshëm që shkon në rubinetet e qytetarëve, për t’iu nënshtruar analizave laboratorike, por ende nuk ka një përgjigje zyrtare. Lidhur me këtë rast që ka shkaktuar helmimin e qindra banorëve ka reaguar edhe Nënkryetari i Bashkisë së Fushë-Arrëzit, Mikel Qafa, i cili thotë se përgjegjësia për ujin i takon Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër. Për nënkryetarin e bashkisë, kjo është rrjedhojë e përpjekjeve të vazhdueshme të pushtetit për largimin e shërbimeve nga qytetarët, duke u bazuar kështu në propozimin e fundit, që Fushë-Arrëzi të shkrihet me Bashkinë Pukë. Të gjendur pa zgjidhje institucionale prej ditësh, banorët e Fushë-Arrëzit kanë gjetur si alternativë mbushjen e ujit në kroje. © BalkanWeb Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb Etiketa: fushe arrez helmim
