Lajme Zone
Haxhiu e shtyn për të dielën seancën konstituive mes mosmarrëveshjeve për nënkryetarët
PolitikëCNA

Haxhiu e shtyn për të dielën seancën konstituive mes mosmarrëveshjeve për nënkryetarët

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë për të dielën vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së 11-të, mes mosmarrëveshjeve për votimin e nënkryetarëve, pasi partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) braktisën sallën. PDK-ja e kishte braktisur sallën të premten paradite pasi Lëvizja Vetëvendosje në pushtet nuk ia

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shtyrë për të dielën vazhdimin e seancës për konstituimin e legjislaturës së 11-të, mes mosmarrëveshjeve për votimin e nënkryetarëve, pasi partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) braktisën sallën.

PDK-ja e kishte braktisur sallën të premten paradite pasi Lëvizja Vetëvendosje në pushtet nuk ia kishte votuar kandidaten për nënkryetare dhe nuk u kthye në sallë kur seancë vazhdoi pasdite.

LDK-ja nuk pranoi ta propozojë kandidatin e saj, pasi Haxhiu e tejkaloi zgjedhjen e nënkryetarit nga PDK-ja, i cili ishte i dyti në radhë për t’u zgjedhur, sipas procedurës.

Gjatë vazhdimit të seancës konstituive paraditen e së premtes, Ardian Gola nga LVV-ja e u zgjodh në postin e nënkryetarit, por jo edhe e propozuara e PDK-së, Vlora Çitaku.

Deputetët e PDK-së lëshuan sallën dhe thanë se nuk do të merrnin pjesë më në seancë dhe do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese.

LVV-ja tha se voton nga një kandidat nga PDK-ja dhe Lidhja Demokratike të Kosovës për postin e nënkryetarit, por tha se nuk voton persona “që duan ta çojnë vendin në zgjedhje”.

Arbërie Nagavci nga LVV-ja tha se pret që PDK të bëjë propozimin e ri për postin e nënkryetarit, teksa nga LDK-ja tha se nuk kanë përkrahjen as për të propozuarin e tyre, Kujtim Shala.

Por, PDK-ja nuk u rikthye në sallë.

Vazhdimi i seancës konstituive të premten paradite nisi me mospajtime lidhur me formën e votimit të nënkryetarëve, por më pas me 71 vota për, u vendos që për pesë nënkryetarët të zhvillohej votim i ndarë.

Ardian Gola i Lëvizjes Vetëvendosje mori 100 vota dhe u zgjodh në këtë post. Por, Vlora Çitaku arriti të merrte vetëm 44 vota, pasi deputetët e LVV-së abstenuan.

Pas kësaj, Haxhiu kërkoi që PDK të bënte sërish propozim për postin e nënkryetarit, por përveç Mërgim Lushtakut, të gjithë deputetët e PDK-së u larguan nga salla plenare.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, tha se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje, duke paralajmëruar se më nuk marrin pjesë në seancën konstituive.

"Nga sot, PDK nuk ka arsye të marrë pjesë në seancën plenare dhe ne do ta dërgojmë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Jemi të sigurt që afatet kushtetuese kanë përfunduar më 7 gusht. Sot nuk po e respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses për mënyrën e votimit, pasi aty thuhet se duhet të ketë konsensus. Nuk ka konsensus. Ne e votuam kandidatin e LVV, por ata nuk e mbështeten kandidaten tonë", tha kreu i PDK-së, Bedri Hamza, pasi doli nga salla plenare.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh, nga data e certifikimit të rezultatit zgjedhor. Ky afat ka skaduar më 7 gusht, por LVV-ja më pas kishte argumentuar se afati vlen nga data e nisjes së seancës konstituive – pra nga 6 gushti. Por, edhe ky 30-ditësh, sipas interpretimit të LVV-së, tashmë ka kaluar.

Pas ndërprerjes së seancës, Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje tha se partia e saj nuk ka vota për kandidatë për nënkryetarë të Kuvendit, që synojnë “ta dërgojnë vendin në zgjedhje”.

“LVV-ja do të votojë një kandidat të PDK-së dhe LDK-së për nënkryetar. Por, nuk mund të votojmë Vlora Çitaku dhe nuk vazhdojmë tutje në këtë situatë që të konstituojmë Kuvendin, s’mund të japim votë për dikë që synon të na dërgojë në zgjedhje. Pra, LVV e voton një deputet nga radhët e PDK-së, se cili është ai deputet, duhet që PDK të vazhdojë me propozime apo marrëveshje”, tha ajo.

Sipas Nagavcit, seanca do të vazhdojë sot dhe partia e saj është e gatshme ta votojë edhe Qeverinë dhe presidentin po sot.

“Jemi të gatshëm që sot të vazhdojmë me votimin e Qeverisë dhe presidentit dhe nuk mund të garantojmë që 53 votat tona të jepen dhe më pas vendi të çohet në zgjedhje”, tha Nagavci.

Ndërkaq, Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës sqaroi se as për kandidatin e partisë për nënkryetar, Kujtim Shala nuk ka përkrahje nga LVV-ja.

“Shkuam me votim individual, sepse s’kishte përkrahje nga LVV për propozimet tona”, tha Lushaku.

Ajo shtoi se partia është e hapur për dialog për themelimin e institucioneve.

“Ne do t’i përdorim të gjitha format e propozimit dhe votimit. Do të vendosin deputetët e Kuvendit. Të shohim se a do të ketë përkrahje”, tha ajo.

Menjëherë pasi nisi vazhdimi i seancës konstituive - që ka nisur më 6 gusht - Haxhiu ftoi për konsultim përfaqësuesit e partive politike. Më pas ajo njoftoi se s'kishte pajtim për votim në pako për nënkryetarët, ashtu siç ishin votuar herën e kaluar, pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025.

Nagavci argumentoi se pasi nuk ka pajtim, votimit të bëhet veç e veç.

Por, Përparim Gruda nga PDK u shpreh se nuk ka konsensus për ndryshimin e formës së votimit.

“Aktgjykimi [i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e konstituimit të Kuvendit] thotë që duhet të respektohet praktika e deritanishme parlamentare. Herën e fundit ishte [votimi] në pako. Për t’u ndërruar praktika parlamentare, duhet konsensus. Konsensus nuk ka", tha ai, duke paralajmëruar se PDK-ja nuk do të votojë nëse ndërrohet forma e votimit "si mjet bllokade”.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi nuk e konteston vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo për propozimet, por duhet të hidhen në votim.

“Meqë nuk ka konsensus, ne jemi në përkrahje të votimit individual”, tha ajo.

Igor Simiq nga Lista Serbe tha se voton në cilëndo formë, por shtoi se “dikush po kërkon të bëhen lojëra”, duke argumentuar se mënyra e votimit të nënkryetarëve është bërë në atë mënyrë që të konstituohet organi ligjvënës.

“Ne jemi për t’u votuar individualisht apo në pako. Ne presim që kandidati ynë të marrë votat e nevojshme dhe të vazhdojmë me punën sepse kemi përgjegjësi para qytetarëve”, tha ai.

Më pas, Nagavci sërish mori fjalën dhe tha se PDK ishte pajtuar për çfarëdo forme të votimit të nënkryetarëve. Por, Gruda u përgjigj se nëse LVV garanton konstituimin e Kuvendit “ne pranojmë çdo formë votimi”.

Më pas, mënyra e zgjedhjes së nënkryetarëve u hodh në votim dhe me 71 vota për u vendos për votimin veç e veç.

Seanca konstituive e Kuvendit, 11 shtator:

Vazhdimi i seancës të së premtes vjen pasi të mërkurën Haxhiu u rizgjodh kryetare, por seanca u shty pikërisht për shkak të mospajtimeve mes partive politike nëse nënkryetarët duhet të votohen në pako apo ndaras.

Po ashtu, një tjetër arsye e shtyrjes së seancës nga Haxhiu ishte shprehja “në emër të popullit serb” e përdorur nga Igor Simiq i Listës Serbe kur ai propozoi një bashkëpartiak të tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjatë seancës të së mërkurës, Haxhiu i kërkoi atij të tërhiqte fjalën dhe të bënte sërish propozimin, duke e cilësuar si jokushtetues këtë shprehje.

Deputetë të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – edhe më herët kishin përdorur shprehjen “në emër të popullit serb” gjatë deklarimeve në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu, por edhe Arbërie Nagavci nga LVV-ja thanë se nuk ka pajtim mes partive as për votimin e Vlora Çitakut të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Kujtim Shalën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të propozuar për nënkryetarë të legjislaturës së njëmbëdhjetë të dalë nga zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Nagavci tha pas seancës të së mërkurës se LDK-ja dhe PDK-ja po kërkojnë vota për nënkryetarët, por nuk po mbështesin propozimin e Bekim Sejdiut për postin e presidentit./rel Lajme ekskluzive nga CNA

Doni te informoheni te paret per lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tone ne Facebook duke klikuar ketu.