Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ka zbardhur në “Shqipëria Live” detaje nga hetimi i SPAK për vilën në Palasë, të cilën Prokuroria e Posaçme e konsideron pasuri të fshehur të Belinda Ballukut. Sipas akteve të hetimit të referuara nga gazetarja, Igli Tare dyshohet se është përdorur për të fshehur pronësinë e vilës, ndërsa hetuesit kanë vendosur në një linjë kohore komunikimet me email, kontratën e sipërmarrjes dhe pagesën prej rreth 250 mijë eurosh.
Hoxha tha se një prej email-eve që SPAK pretendon se i është dërguar Ballukut daton në shtator 2020, ndërsa një muaj më vonë shfaqet në dokumentacion Igli Tare, përmes një kontrate sipërmarrjeje dhe parapagimit për pasurinë. Në hetim është përfshirë edhe roli i Arbër Abazit dhe kompanisë së tij, për shkak të punimeve të kryera në vilë, ndërsa SPAK e lidh çështjen e pasurisë me favorizimin e dyshuar në një procedurë prokurimi të zhvilluar më vonë.
Sipas Hoxhës, SPAK është mbështetur edhe në komunikimet e sekuestruara nga telefoni i Evis Berberit për të rindërtuar mënyrën se si dyshohet se është favorizuar kompania, ndërsa hetuesit e konsiderojnë vilën një përfitim të dyshuar korruptiv dhe pasuri të fshehur të ish-zëvendëskryeministres. “Ju e lexuat përmbajtjen e email-it. Ky është një nga email-et që, sipas SPAK-ut, i është dërguar ish-zëvendëskryeministres, Belinda Ballukut. SPAK dyshon se në të vërtet flitet për një transaksion, një tratativë që më pas është konkluduar me fshehjen e një aseti pasuror, që sipas SPAK shpalli dhe bëri publik menjëherë pasi Gjykata e Posaçme pranoi më 9 shtator sekuestron, është përdorur si formulë te një shtetas tjetër, që del për herë të dytën në njoftimet e Prokurorisë së Posaçme dhe në fashikuj si personi që ka ndihmuar ish-funksionaren e lartë për të fshehur një pasuri që, sipas SPAK, dyshohet se është përfituar nga korrupsioni. Bëhet fjalë për një hetim që ka nisur në vitin 2025 dhe nga vjeshta e 2025-ës, kur fillimisht u hetua për një hetim si shkelje e pabarazuar e tenderave, solli njërën pas tjetrës edhe shkelje të tjera të tenderave. Gjithashtu pritet të merret nën akuzë edhe Abasi, për sa kohë kompania e tij është përdorur për të kryer punimet. Email-i i takon vjeshtës së 2020-ës, ndërsa rezulton se një muaj më pas, nga aktet e SPAK-ut rezulton se është aktivizuar Igli Tare, i cili me një kontratë sipërmarrjeje ka parapaguar gati 250 mijë euro si personi që do e merrte. Email-i dërgohet në shtator 2020, në tetor 2020 bëhet pagesa dhe del emri i të dyshuarit Igli Tare dhe tenderi i përfolur nga kompania Abazi zhvillohet një vit më pas. Për të treguar mënyrën preferenciale, SPAK i referohet zbërthimit të asaj që njihet si kutia e zezë, bëhet fjalë për telefonin e Berberit, aktualisht në burg, bisedat e të cilit ishin me Belinda Ballukun. Kjo është pikërisht se si flitet dhe si përshkruhet, dyshon SPAK, që kjo kompani është përzgjedhur në mënyrë preferenciale dhe që më pas interpretohet si një formë korruptive, që SPAK e thotë drejtpërdrejt që kjo pasuri i përket ish-funksionares. Është e fshehur, prandaj i është kalkuluar edhe vepra tjetër penale.
Znj. Balluku është zyrtarisht e pandehur për Lotin e Llogarasë. Zyrtarisht, hetimet i janë zgjatur dy herë nga Prokuroria e Posaçme dhe përfjnë tani në tetor. Prokurorët e Posaçëm dhe BKH kanë bllokuar telefona, kompjutera nga të gjitha kompanitë që përfliten dhe kanë shkuar në zbërthimin e email-eve. Të gjitha këto çojnë të dhëna drejt ish-funksionares.
SPAK-u e thotë qartë. Igli Tare është përdorur, e thotë fjalë për fjalë, përdorur, për të fshehur vilën. Edhe në qershor kishte dyshime për një vilë tjetër”, tha ndër të tjera Anila Hoxha. Top Channel

