Protesta kundër Hartës së re Territoriale ka sjellë tensione këtë të enjte para Kuvendit, ku qytetarë nga bashkitë që preken nga reforma kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar ndryshimet që pritet të votohen sot.
Mesazhi i protestuesve është përcjellë edhe përmes një mbishkrimi të bërë nga një qytetare në fasadën e qendrës tregtare pranë Parlamentit: “Shkrini qeverinë, jo bashkitë!”
Tubimi vjen në kundërshtim me projektin e mazhorancës, i cili parashikon shkrirjen e 15 bashkive dhe bashkimin e tyre me njësi të tjera vendore. Banorët e zonave të prekura kërkojnë që reforma të mos miratohet pa u dëgjuar më parë qëndrimi i komuniteteve lokale.
Në mbështetje të protestuesve janë shfaqur edhe përfaqësues të opozitës, ndërsa tubimi është zhvilluar në disa pika përreth godinës së Kuvendit.
Situata është përshkallëzuar gjatë protestës. Disa prej pjesëmarrësve kanë ndezur koshat e mbeturinave pranë qendrës tregtare, duke shkaktuar flakë. Zjarri është neutralizuar nga policia.
Tensionet kanë vijuar më pas edhe në zonën përpara Kuvendit, pranë “Flamingove”, ku efektivët kanë përdorur spraj me piper për të shpërndarë protestuesit.
Një prej pjesëmarrësve ka pësuar irritim në sy pas përdorimit të sprajit, ndërsa protestues të tjerë janë afruar për ta ndihmuar, duke i hedhur ujë dhe solucion.
Në disa momente, protestuesit kanë drejtuar akuza dhe thirrje ndaj forcave të policisë, duke bërtitur: “Mos u sillni si fashistë!”
Protesta zhvillohet ndërsa Kuvendi pritet të votojë sot draftin për Hartën e re Territoriale, një reformë që ka hasur kundërshtime nga qytetarë dhe përfaqësues të njësive vendore që preken nga shkrirja.

