Lajme Zone
Hapen aplikimet për strehim social, kush përfiton dhe dokumentet që duhen për të aplikuar
PolitikëReport TV
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Hapen aplikimet për strehim social, kush përfiton dhe dokumentet që duhen për të aplikuar

Aplikimet do të kryhen online përmes platformës e-Albania, ndërsa dokumentet që kërkohen ndryshojnë sipas gjendjes ekonomike, familjare, sociale dhe kushteve të strehimit të çdo aplikanti.

Enti Kombëtar i Banesave ka hapur thirrjen për aplikime për programet e strehimit social, duke publikuar edhe kushtet, kriteret dhe dokumentacionin që duhet të përgatisin qytetarët që synojnë të përfitojnë. Aplikimi kryhet online nëpërmjet platformës e-Albania, për shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”, ndërsa dokumentacioni që kërkohet ndryshon në varësi të situatës ekonomike, sociale, familjare dhe të strehimit të aplikantit. LEXO edhe...Keni një shtëpi të ndërtuar para vitit ’91? Ja si ta regjistroni në e-Albania, hap pas hapi! Kriteret mbështeten në përcaktimet e Ligjit nr. 22/2018 “Për strehimin social”, ndërsa dokumentacioni synon të evidentojë gjendjen reale të familjes dhe përmbushjen e kushteve për përfitim. Të ardhurat dhe gjendja ekonomike Aplikantët duhet të provojnë të ardhurat dhe burimin e tyre, duke përfshirë, sipas rastit, të ardhurat nga punësimi, vetëpunësimi, pensioni, ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë. Në dokumentacionin e kërkuar përfshihen: vërtetim ose deklarim për të ardhurat e familjes dhe burimin e tyre; vërtetim nga punëdhënësi për pozicionin e punës dhe pagën; dokumentacion për kontributet e të vetëpunësuarve; vërtetim për përfitimin e ndihmës ekonomike ose pagesës së aftësisë së kufizuar; vërtetim për pagesën e papunësisë; vërtetim për pensionin. Kjo pjesë e dokumentacionit shërben për të përcaktuar profilin ekonomik të familjes dhe për të vlerësuar nëse ajo përmbush kriteret për një nga programet e strehimit social. Kategoritë në nevojë kanë dokumentacion specifik Përveç të ardhurave, në vlerësim merren parasysh edhe rrethana të veçanta sociale dhe personale që mund ta vendosin një individ ose familje në një pozicion më të pafavorshëm për sigurimin e një banese. Për viktimat e dhunës në familje kërkohet urdhër mbrojtjeje ose urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje. Ndërkohë, për kategori të tjera mund të kërkohet vetëdeklarim ose dokumentacion specifik, si: vetëdeklarim për përkatësinë në pakicën kombëtare rome ose egjiptiane; dokument për të miturit në konflikt me ligjin; vetëdeklarim për përkatësinë në grupimin LGBTI; certifikatë familjare për kategorinë vajzë-nënë. Këto dokumente lidhen me kategoritë e përcaktuara nga legjislacioni për strehimin social dhe synojnë që në procesin e vlerësimit të merren në konsideratë edhe faktorët e veçantë socialë. Aftësia e kufizuar, jetimët dhe familjet e punonjësve të rënë në detyrë Një tjetër grup kriteresh lidhet me statusin social të aplikantit ose të familjes. Në rast se aplikanti i përket një kategorie të veçantë sociale, duhet të paraqesë dokumentin që provon këtë status. Në këtë kategori përfshihen, ndër të tjera: personat me aftësi të kufizuara; personat me statusin e jetimit; personat e mbetur të pastrehë si pasojë e lirimit të ish-pronave; personat me statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” ose “azilkërkues”; familjet e punonjësve të rënë në detyrë. Pra, vlerësimi nuk kufizohet vetëm te niveli i të ardhurave, por përfshin edhe rrethanat sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në mundësinë e individit apo familjes për të siguruar strehim. Përbërja e familjes, një tjetër kriter Dokumentacioni familjar është gjithashtu pjesë e aplikimit. Për këtë qëllim kërkohet certifikata familjare, e cila shërben për të përcaktuar përbërjen e familjes dhe numrin e anëtarëve. Për çiftet e divorcuara kërkohet edhe vendimi i gjykatës që përcakton kujdestarinë ose ngarkimin e fëmijës apo fëmijëve. Ky dokumentacion merr rëndësi në përcaktimin e situatës familjare dhe në vlerësimin e nevojës për strehim. Prona dhe kushtet e banimit Një nga elementët më të rëndësishëm të procesit është verifikimi i situatës së strehimit dhe pronësisë. Në varësi të situatës së aplikantit ose familjes, kërkohet dokumentacion nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, për të evidentuar nëse familja ka pasuri të paluajtshme dhe nëse ajo përmbush kushtet minimale të strehimit. Dokumentet mund të përfshijnë: vërtetim për pronat e secilit anëtar të familjes; vërtetim për sipërfaqen e pronës, në rastet kur banesa është nën normat e strehimit; vërtetim për mungesën e pronës së përdorshme për strehim, për secilin anëtar në rastet e parashikuara; vërtetim se anëtarët madhorë të familjes nuk kanë aplikuar për legalizimin e një banese. Këto të dhëna synojnë të përcaktojnë nëse aplikanti është realisht i pastrehë, nëse banesa që disponon nuk plotëson normat e përcaktuara ose nëse ndodhet në një nga situatat e tjera të parashikuara nga ligji. Dokumentet personale dhe vendbanimi Në dosjen e aplikimit kërkohet edhe dokumentacioni bazë personal. Aplikanti duhet të paraqesë certifikatën e lindjes, ndërsa për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit kërkohet edhe vërtetim për vendbanimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore ku kërkohet strehimi social. Ky kriter lidhet me verifikimin e lidhjes së aplikantit me njësinë vendore ku kërkohet përfitimi. Si bëhet aplikimi? Procesi i aplikimit zhvillohet online në e-Albania, përmes shërbimit “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”. Qytetarët duhet të identifikojnë kategorinë në të cilën bëjnë pjesë dhe të përgatisin dokumentacionin përkatës përpara se të dorëzojnë aplikimin. Jo çdo aplikant duhet të paraqesë të gjitha dokumentet e listuara, pasi kërkesat varen nga gjendja ekonomike, familjare, sociale dhe e strehimit./Ekofin U.D/ReportTv.al Enti Kombëtar i Banesave E-albania strehimi social kadastra Komento Komente Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri? Politika 57.3% Shoqëria 26.9% Social media 15.7% Vota total: 5752 Sondazhi i ditës: Cili është shkaku i konflikteve në Shqipëri?