Lajme Zone
Grurë i lirë serb dhe bukë me ngjyrues: Çfarë fshihet pas miellit që konsumojmë?
EkonomiJOQ Albania
Ky artikull është pjesë e një historie me 2 burime — Krahaso mbulimin →

Grurë i lirë serb dhe bukë me ngjyrues: Çfarë fshihet pas miellit që konsumojmë?

Buka që konsumojmë çdo ditë mund të mos ketë gjithmonë përbërjen që pretendohet. Miell me parametra të ulët cilësorë që përdoret për prodhimin e bukës, produkte të errësuara artificialisht për t'u shitur si bukë e zezë dhe rreziqe që lidhen me ruajtjen e grurit. Këto janë disa nga problematikat që ngrihen nga sektori i përpunimit të drithërave në Shqipëri.

Buka që konsumojmë çdo ditë mund të mos ketë gjithmonë përbërjen që pretendohet. Miell me parametra të ulët cilësorë që përdoret për prodhimin e bukës, produkte të errësuara artificialisht për t'u shitur si bukë e zezë dhe rreziqe që lidhen me ruajtjen e grurit. Këto janë disa nga problematikat që ngrihen nga sektori i përpunimit të drithërave në Shqipëri.

Një pjesë e konsiderueshme e grurit që furnizon tregun shqiptar vjen nga Serbia, e cila renditet ndër burimet kryesore të importit. Sipas të dhënave të përmendura nga eksperti i drithërave, mbi 60% e grurit për konsum njerëzor vjen nga ky shtet.

Por vendi i origjinës nuk është shqetësimi kryesor. Vëmendja, sipas ekspertit, duhet të përqendrohet te cilësia e lëndës së parë që blejnë fabrikat shqiptare dhe te mënyra se si ajo përpunohet.

Gruri me përmbajtje të ulët proteinash dhe gluteni kushton më pak në tregjet ndërkombëtare. Kjo e bën atë ekonomikisht më të leverdishëm për industrinë, por ngre pikëpyetje kur mielli i përftuar prej tij përdoret për prodhimin e bukës së përditshme. Për të kompensuar cilësinë e dobët teknologjike, sipas ekspertit, mund të përdoren aditivë që ndikojnë në fryrjen dhe strukturën e brumit.

“Po përdoret miell që në treg klasifikohet për prodhime pastiçerie, por që përfn edhe në bukë. Kjo është një praktikë problematike, sepse përmes aditivëve tentohet të kompensohen parametrat që i mungojnë miellit”, shpjegon eksperti.

Një tjetër pikëpyetje lidhet me bukën e zezë. Ngjyra e errët nuk është domosdoshmërisht tregues i përdorimit të miellit integral. Sipas ekspertit, ekziston mundësia që në disa raste të përdoret miell i bardhë, të cilit i shtohen ngjyrues për t'i dhënë pamjen karakteristike.

Kjo praktikë, nëse konfirmohet, do të thotë se konsumatori mund të blejë një produkt duke u bazuar te pamja e tij, pa pasur garanci se përbërja përputhet me atë që reklamohet.

Shqetësimet vijojnë edhe për mënyrën e magazinimit të grurit dhe miellit. Kushtet e papërshtatshme të ruajtjes, veçanërisht lagështia, mund të favorizojnë zhvillimin e mykotoksinave, substanca që në nivele të caktuara përbëjnë rrezik serioz për shëndetin.

Eksperti kërkon që këto produkte të kontrollohen në laborator dhe të mos mjaftohet vetëm me dokumentacionin shoqërues të importit. Sipas tij, verifikimi i cilësisë duhet të përfshijë edhe kushtet në të cilat gruri ruhet përpara se të përpunohet.

Në vëmendje është edhe e ashtuquajtura “sëmundja e patates” në bukë, një problem që lidhet me zhvillimin e mikroorganizmave dhe mund të shfaqet pas prodhimit, duke dëmtuar produktin dhe duke e bërë të papërshtatshëm për konsum. Eksperti përmend raste në Lushnjë dhe Berat, ndërsa thekson se buka e prekur duhet të tërhiqet nga tregu dhe të mos rikthehet në qarkullim përmes ndërhyrjeve në produkt.

Përballë këtyre pretendimeve, çështja kryesore mbetet siguria e asaj që mbërrin çdo ditë në tryezën e konsumatorit. Sa rigoroz është kontrolli i grurit që importohet? A analizohen parametrat e miellit përpara se të përdoret në prodhim? Dhe a verifikohet nëse produkti që shitet si bukë e zezë përputhet realisht me përbërjen e tij?

Përgjigjet kërkojnë kontrolle konkrete dhe transparencë nga institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore. Sepse cilësia e bukës nuk mund të përcaktohet vetëm nga pamja apo çmimi, por nga përbërja, procesi i prodhimit dhe siguria e lëndës së parë.