Problemet në jetën private vijojnë për futbollistin brazilian të Romës, Wesley França, i cili është përfshirë në një histori të bujshme pas akuzave për tradhti të bëra publike nga bashkëshortja e tij, Amanda Martins.
Kjo e fundit ka pretenduar në rrjetet sociale se futbollisti e kishte tradhtuar disa herë, madje edhe me prostituta. Deklaratat e saj kanë marrë vëmendje të madhe në mediat braziliane dhe italiane, duke nxitur diskutime edhe për një tjetër emër të përmendur në këtë histori.
Bëhet fjalë për influencuesen dhe modelen Lara Jucá, e cila është përfolur për një flirt të mundshëm me mbrojtësin e Romës. Megjithatë, ajo ka reaguar publikisht përmes një komenti në Instagram, duke mohuar çdo lidhje të tillë dhe duke shprehur indinjatën për përfshirjen e emrit të saj në këtë çështje.
“Ditën që do të zbres në atë nivel, mund të më varrosni. Dhe tani, mos më shqetësoni më”, ka shkruar ajo.
Sipas Corriere dello Sport, reagimi i influencueses erdhi pasi emri i saj u përfshi në thashethemet që kanë qarkulluar lidhur me jetën private të futbollistit.
Ndërkohë, historia vijon të bëjë bujë në mediat rozë, ndërsa Wesley França dhe bashkëshortja e tij janë kthyer në qendër të vëmendjes për shkak të akuzave që kanë tronditur jetën e tyre private.

