Lajme Zone
Greqia kufizon rrjetet sociale nga janari 2027, ndalohet hyrja për fëmijët nën 15 vjeç! Si do të kontrollohet mosha dhe çfarë detyrimi kanë platformat
BotëReport TV

Greqia kufizon rrjetet sociale nga janari 2027, ndalohet hyrja për fëmijët nën 15 vjeç! Si do të kontrollohet mosha dhe çfarë detyrimi kanë platformat

Greqia do të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, duke nisur nga 1 janari 2027. Athina ka përcaktuar tashmë mënyrën se si do të funksionojë masa, ndërsa përgjegjësia kryesore për të kontrolluar moshën e përdoruesve dhe për të bllokuar ata që nuk plotësojnë kufirin do t'u takojë vetë platformave.

Një fëmijë nën 15 vjeç në Greqi nuk do të mund të hapë apo të përdorë lirisht një llogari në rrjetet sociale vetëm duke vendosur një datëlindje të rreme. Nga 1 janari 2027, vendi fqinj vendos një kufi të ri moshe për aksesin në këto platforma, ndërsa kompanitë do të duhet të kontrollojnë nëse përdoruesi është vërtet mbi 15 vjeç. Ndryshimi më i rëndësishëm është pikërisht mënyra e kontrollit. Deri tani, në shumë platforma mjafton që përdoruesi të deklarojë vetë datëlindjen. Me rregullat e reja, kjo nuk do të jetë më e mjaftueshme. Platformat do të kenë përgjegjësinë të përdorin sisteme të besueshme për verifikimin ose vlerësimin e moshës. LEXO edhe...Alarm për bombë në Parlamentin grek, telefonata anonime vë në lëvizje autoritetet! Nisin hetimet Dhe problemi nuk lidhet vetëm me fëmijët që do të tentojnë të hapin llogari të reja pas hyrjes në fuqi të ligjit. Autoritetet greke kanë parashikuar edhe kontrollin e llogarive ekzistuese, pikërisht sepse shumë të mitur mund të jenë regjistruar më herët duke deklaruar një moshë më të madhe. Të dhënat e përdorura nga qeveria greke tregojnë përmasat e fenomenit: 66% e nxënësve të shkollës fillore dhe 74% e nxënësve të arsimit të mesëm që përdorin rrjetet sociale kanë pranuar se kanë deklaruar moshë të rreme gjatë regjistrimit. Po si do të vërtetohet mosha? Greqia nuk ka vendosur që fëmijët t'u dërgojnë dokumentet personale kompanive të rrjeteve sociale. Një nga sistemet që mund të përdoret është Kids Wallet, i lidhur me infrastrukturën dixhitale shtetërore. Ideja është që platforma të marrë vetëm konfirmimin nëse përdoruesi e plotëson ose jo kufirin e moshës, pa marrë të dhëna të tjera të panevojshme për identitetin e tij. Platformat mund të përdorin edhe teknologji të tjera, por ato duhet të jenë të besueshme dhe të respektojnë rregullat për mbrojtjen e të dhënave personale. Në praktikë, shteti nuk do të kontrollojë telefonin e çdo fëmije dhe as prindërit nuk do të mbajnë të vetëm barrën e zbatimit të ndalimit. Përgjegjësia kalon te kompanitë që ofrojnë rrjetet sociale: ato duhet të dallojnë përdoruesit nën kufirin e lejuar dhe t'u bllokojnë aksesin. Jo çdo shërbim në internet do të preket. Kufizimi synon rrjetet sociale, ku përdoruesit krijojnë profile, publikojnë përmbajtje dhe ndërveprojnë me të tjerët. Shërbimet e komunikimit privat nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë. Qeveria e Kyriakos Mitsotakis thotë se po ndërhyn për shkak të ndikimit që përdorimi i hershëm dhe i pakontrolluar i rrjeteve sociale mund të ketë te fëmijët. Në argumentimin e saj përmenden varësia nga ekranet, problemet me gjumin dhe përqendrimin, ekspozimi ndaj materialeve të papërshtatshme dhe pasojat për shëndetin mendor. Greqia e ka njoftuar masën edhe në nivel të Bashkimit Europian, duke përcaktuar moshën 15 vjeç si pragun për aksesin në rrjetet sociale. Kompanitë teknologjike kanë kohë deri në fund të këtij viti për t'i përshtatur sistemet e tyre. Nga 1 janari 2027, deklarimi i një moshe të rreme nuk duhet të mjaftojë më për t'i hapur një fëmije nën 15 vjeç dyert e rrjeteve sociale. U.D/ReportTv.al Rrjetet sociale athine greqi Komento Komente Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private? Po 70.9% Jo 21.7% Nuk e di 7.3% Vota total: 2002 Sondazhi i ditës: Përveç autorit, ligji duhet të ndëshkojë edhe kë ka bërë publike videot intime private?