Gratë dhe vajzat që drejtojnë startup-e në Shqipëri përfituan vitin e kaluar 42% të fondeve të akorduara nga skema shtetërore e financimit, nga rreth 28-30% që merrnin në vitet e para të zbatimit të saj. Shifrat u bënë të ditura nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një konference rajonale në Prishtinë, ku propozoi edhe krijimin e një forumi të përbashkët për gratë sipërmarrëse të vendeve të rajonit. Ibrahimaj mori pjesë në edicionin e katërt të Konferencës Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimet B2B, “SHE RISES”, ku u diskutua për mbështetjen e bizneseve të drejtuara nga gratë, mundësitë që ofron teknologjia dhe bashkëpunimin ekonomik mes vendeve. LEXO edhe...Kryebashkiaku i Prishtinës dyshohet për shpërdorim detyre me kontratën 12 milionë euro, Përparim Rama merret në pyetje nga Prokuroria Speciale! (VIDEO) Ministrja shpjegoi se në Shqipëri, gratë dhe vajzat që aplikojnë për financim në skemën e startup-eve marrin pikë shtesë gjatë vlerësimit. Sipas saj, kjo masë ka ndikuar në rritjen e fondeve që shkojnë për ndërmarrjet e drejtuara prej tyre. “Vitin e kaluar, 42% e fondeve të akorduara për startup-et shkuan për ndërmarrje të drejtuara nga gra dhe vajza, nga rreth 28-30% në vitet e para të zbatimit të skemës”, tha Ibrahimaj. Por ndërsa pjesëmarrja e grave në tregun e punës arrin në 62%, një tregues që sipas ministres e rendit Shqipërinë të parën në rajon, situata është ndryshe kur bëhet fjalë për drejtimin e bizneseve. Vetëm 31-31,5% e administratorëve të ndërmarrjeve janë gra. Ibrahimaj tha se kjo përqindje është e përafërt me nivelin e Bashkimit Europian, por nuk ka shënuar rritje prej disa vitesh. Për këtë arsye, ajo theksoi nevojën për më shumë masa që nxisin gratë të hapin dhe të drejtojnë bizneset e tyre. Sipas ministres, teknologjia dhe inovacioni mund t'u krijojnë mundësi edhe grave që jetojnë jashtë qendrave kryesore ekonomike. Një tjetër propozim i Ibrahimajt ishte krijimi i një forumi rajonal, me përfaqësuese nga secili vend, që të mblidhet periodikisht dhe të punojë për forcimin e bashkëpunimit mes grave sipërmarrëse. Si hapa të parë, ajo sugjeroi identifikimin e shoqatave, programeve dhe fondeve që ekzistojnë në rajon, si dhe caktimin e përfaqësueseve të dhomave të grave sipërmarrëse nga secili vend. Synimi është që brenda një ose dy muajsh të hartohet një plan konkret për krijimin e lidhjeve të reja dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes bizneseve të drejtuara nga gratë. Ministrja u ndal edhe te Tregu i Përbashkët Rajonal, duke theksuar se nismat për lehtësimin e tregtisë dhe uljen e kostove të bizneseve mund të shërbejnë si bazë për bashkëpunimin mes grave sipërmarrëse. Në panelin ministror “Ndërmarrësia e Grave në Bashkëpunimin Ekonomik Rajonal”, krahas Ibrahimajt, morën pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, dhe ministri i Ekonomisë dhe Punës i Maqedonisë së Veriut, Besar Durmishi. Në aktivitet ishte e pranishme edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula. Konferenca “SHE RISES”, e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, synon të krijojë lidhje mes grave sipërmarrëse të rajonit. Përmes takimeve B2B, pjesëmarrëset kanë mundësi të krijojnë kontakte me biznese, institucione financiare dhe partnerë të tjerë, me synimin për të zgjeruar aktivitetin e tyre në tregjet rajonale dhe më gjerë. U.D/A.E/ReportTv.al start up prishtine Delina Ibrahimaj Komento Komente Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve? Po 49.7% Jo 41.1% Nuk e di 9.1% Vota total: 350 Sondazhi i ditës: A besoni se TVSH-ja 6 përqind për ushqimet do të reflektohet si duhet në uljen e çmimeve?
