Gratë me diabet të tipit 2 kanë më shumë gjasa të përballen me probleme të shëndetit mendor pas diagnozës, ndërsa burrat kanë rrezik më të lartë për sëmundje të zemrës dhe komplikacione të veshkave. Këto janë përfundimet e një studimi të publikuar në PLOS Medicine. Diabeti i tipit 2 është një çrregullim metabolik që shkakton nivel të lartë të sheqerit në gjak dhe prek rreth 536,6 milionë njerëz të moshës 20-79 vjeç në mbarë botën. Ky numër pritet të arrijë në 700 milionë deri në vitin 2045.Lexo edhe:Merrni vitaminë C për të mos u ftohur? Ja çfarë tregojnë studimet Rreziqe të ndryshme pas diagnozës Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore anonime të 28.720 personave në Mbretërinë e Bashkuar, të diagnostikuar me diabet të tipit 2 gjatë viteve 2010-2020. Burrat përbënin 62% të grupit dhe ishin mesatarisht 54 vjeç në momentin e diagnozës, ndërsa gratë ishin më të mëdha në moshë. Në vitet pas diagnozës, 39% e pjesëmarrësve përjetuan të paktën një problem të rëndësishëm shëndetësor. Megjithatë, rreziqet ndryshonin sipas gjinisë. Gratë kishin më shumë gjasa të zhvillonin probleme të shëndetit mendor, përfshirë depresionin dhe ankthin: 8,1%, krahasuar me 5,3% te burrat. Ato gjithashtu kishin më shumë gjasa të ndiqnin trajektore shëndetësore që përfnin me vdekje. Ndërkohë, burrat kishin norma më të larta të sëmundjeve kardiovaskulare (8,4% kundrejt 5,3%), sëmundjeve të avancuara të veshkave dhe hipertensionit (21,1% kundrejt 20,2%). Studiuesit vërejtën se gratë përdornin mesatarisht më shumë shërbime shëndetësore dhe barna afatgjata, gjë që mund të ndikojë në numrin më të madh të diagnozave. Nevojitet kujdes i përshtatur Një ngjashmëri e rëndësishme ishte se si burrat, ashtu edhe gratë që kishin diabet dhe një problem të shëndetit mendor, përballeshin me rrezik më të lartë për vdekje të parakohshme. Në të gjitha grupmoshat dhe te të dyja gjinitë, hipertensioni ishte komplikacioni më i shpeshtë pas diagnozës së diabetit. Studiuesit thonë se udhëzimet aktuale britanike nuk ofrojnë strategji të veçanta sipas gjinisë për parandalimin dhe trajtimin e komplikacioneve të diabetit. Sipas tyre, gratë e reja me diabet të tipit 2 duhet të kontrollohen rregullisht edhe për probleme psikologjike, pasi ato mund të shfaqen më herët. Për burrat, nevojitet monitorim më i hershëm i zemrës dhe veshkave, si dhe mbështetje më e madhe për t’i ndihmuar të ndjekin trajtimin në mënyrë të qëndrueshme. /Medical xpress – Syri.net

