Një banesë në fshatin Finiq është bërë pre e një grabitjeje mbrëmjen e 31 tetorit, nga persona ende të paidentifikuar. Viktimë e ngjarjes ka mbetur një e moshuar, së cilës autorët i kanë marrë 6,800 euro, bizhuteri, varëse dhe sende të tjera me vlerë. Sipas raportimeve, grabitja ka ndodhur rreth orës 18:00–18:30, në momentin kur e moshuara ishte larguar nga banesa për të vizituar të afërmit që jetojnë pranë saj.
Kur është kthyer në shtëpi, e moshuara ka konstatuar se dyert ishin shqyer dhe ambientet ishin përmbysur nga autorët, të cilët kishin kontrolluar banesën në kërkim të parave dhe sendeve me vlerë. Mes shumës së grabitur, 6,800 eurot dyshohet se ishin kursimet e saj për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale.
Deri më tani, autorët e grabitjes nuk janë identifikuar dhe nuk raportohet për persona të arrestuar. Pritet që autoritetet të japin më shumë detaje lidhur me ngjarjen, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave përgjegjës.

