Një 35-vjeçar është vënë në pranga nga policia në Durrës. Arrestimi i tij në Qerret ka ardhur pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi kanabis. Pas zbulimit të drogës, policia ka kryer kontrolle edhe në banesën e 35-vjeçarit ku iu gjet një tjetër sasi kanabis. Lënda narkotike është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. “Durrës/Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike. Posedonte lëndë narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shitjen, kapet në flagrancë në Qerret dhe arrestohet 35-vjeçari. Sekuestrohet lënda narkotike. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës, si rezultat i kontrolleve për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të kësaj veprimtarie dhe arrestuan autorin e dyshuar, L. K., 35 vjeç, banues në Qerret, Durrës. Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, në vendin ku u ndalua, në Qerret, këtij shtetasi iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Në vijim, gjatë kontrollit në banesë iu gjet një tjetër sasi e kësaj lënde. Lënda narkotike, të cilën ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njofton policia.

