Lajme Zone
Gjyqi ndaj Laert Haxhiut në GJKKO/ Vrasja e Albi Bashaliut në Peqin. Gjykata: Kërkon të dish kush ta vrau vëllain? Dëshmitari: Jo, jam klasë punëtore pa mbështetje
PolitikëTop Channel
Ky artikull është pjesë e një historie me 6 burime — Krahaso mbulimin →

Gjyqi ndaj Laert Haxhiut në GJKKO/ Vrasja e Albi Bashaliut në Peqin. Gjykata: Kërkon të dish kush ta vrau vëllain? Dëshmitari: Jo, jam klasë punëtore pa mbështetje

Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.

Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, Laert Haxhiu ka paraqitur një deklaratë me shkrim, përmes së cilës njofton gjykatën se nuk dëshiron të marrë pjesë në procesin gjyqësor.

Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pranon të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj. Gjykata bëri me dije se procesi ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Në seancën e sotme janë paraqitur gjithsej 12 dëshmitarë, të cilët pritet të dëshmojnë në kuadër të shqyrtimit gjyqësor ndaj të pandehurit.

Procesi vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga gjykata.

Burgjet sjellin si dëshmitar Xhuliano Xhaferrajn, i cili dëshmon për vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, i gjetur i vdekur më 13 qershor 2021 në një rezervuar në Korçë, sipas versionit zyrtar të prokurorisë.

Gjykata: Në këtë proces keni edhe cilësinë e viktimës. Sot jeni thirrur si dëshmitar ndaj Laert Haxhiut.

Gjykata: A keni qenë më parë i dënuar?

Dëshmitari: Po, për vjedhje.

Gjykata: Po tani?

Dëshmitari: Po, jam në Burgun e Fierit për vjedhje.

Prokurori i SPAK: Zoti Xhuliano, faleminderit që keni ardhur. Ju jeni këtu për të dëshmuar për vrasjen e vëllait tuaj, Fridman Xhaferraj.

Xhuliano Xhaferraj: Isha në burg, më çuan në komisariat dhe më pyetën: “A ke folur, a di gjë?” E verifikuan. Pas disa orësh e gjetën që ishte im vëlla.

Prokurori i SPAK: Të nxorën nga burgu?

Dëshmitari: Atë ditë u lirova me urdhër lirimi, sepse e mbarova dënimin. Nuk kisha marrë vesh gjë. Kur vajta në shtëpi, pashë policët që po bënin kontroll.

Prokurori: Kur u lirove, ku shkove?

Dëshmitari: Te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: A e kishin marrë vesh prindërit?

Dëshmitari: Nuk i kam prindërit.

Prokurori: Po vëllai Fridman ku jetonte?

Dëshmitari: Ai kishte ikur. Më kishte thënë se ishte jashtë. Kisha rreth 20 ditë që më kishte thënë në burg se do të ikte jashtë shtetit, në Itali. Unë isha ndarë dhe isha me fëmijët e me nusen, ndaj ai nuk më tregonte shumë. Ne ishim tre fëmijë: unë, Fridmani dhe Aleksandri. Atij i kishin prerë djemtë biletën dhe në Elbasan ishin ndarë. Ishte bashkë me Lul Spahinë dhe Kristi Bixherin. Këta emra m’i ka thënë vëllai tjetër. Kur Fridmani ishte gjallë, ishte me këta. Vëllai i vogël e la Fridmanin me Lulin dhe Kristin në Elbasan dhe ishte larguar. Fridmani do të ikte në Greqi.

Dëshmitari: Kaq di. Nuk di gjë tjetër, sepse kam qenë në burg.

Prokurori: Kur t’i tha këto vëllai, t’i tha në burg apo te shtëpia e vjehrrit?

Dëshmitari: M’i tha te shtëpia e vjehrrit.

Prokurori: Kush mendon se e vrau vëllain tënd?

Dëshmitari: Nuk e di. Qamili, babai i Laertit, më ka thënë nga afër se ata nuk kishin fare dorë, sepse i kemi tokat afër. Më foli në rrugë dhe më tha: “S’ka dorë djali im.” Unë iu përgjigja: “Nuk di gjë.”

Dëshmitari: Unë e pyeta se çfarë kishte ndodhur, sepse mora vesh që ishte përfolur se kishte qenë me Laertin. Kështu flitej në Lushnjë. Unë nuk di gjë fare.

Dëshmitari: Fjalët në Lushnjë ishin hapur se urdhrin për ta vrarë e kishte dhënë Laerti. Unë kam parë punët e mia.

Dëshmitari: Unë nuk ia njihja shoqërinë, sepse jam familjar. Di që vëllai konsumonte lëndë narkotike, me sa di unë kokainë dhe hashash. Me sa dija, edhe ka shitur. Me sa di unë, e kanë shoqëruar njëherë për kundërshtim të policisë. Ka bërë nja tre herë burg dhe ka qenë edhe në Peqin. Nuk e mbaj mend mirë, por di që qëndroi 11 ditë. Më kujtohet se iu gjet edhe fleta e Burgut të Peqinit dhe nga ajo fletë u identifikua.

Prokurori: Sot, a di të thuash pse e kanë vrarë?

Dëshmitari: Me të dëgjuar e kam që është muhabet për drogë dhe armë, por nuk jam i sigurt.

Prokurori: A ke dëgjuar për Artan Tafanin?

Dëshmitari: Po, e njoh. Kemi qenë në burg në Rrogozhinë. Veç kësaj, kur dilnim xhiro, luanin edhe fëmijët me njëri-tjetrin.

Prokurori: Ti vetë ke përdorur drogë?

Dëshmitari: Jo, jo. Ndonjë cigare, shumë rrallë.

Prokurori: Në dijeninë tënde, a e ka njohur vëllai yt Artan Tafanin?

Dëshmitari: Po, e ka njohur, sepse e ka pasur edhe ai në burg në Rrogozhinë.

Detar Hysi, avokat i Laert Haxhiut: A e njihni shtetasin Laert Haxhia?

Dëshmitari: Po.

Detar Hysi: Çfarë marrëdhëniesh keni?

Dëshmitari: Babai im me babanë e tij kanë marrëdhënie miqësore.

Avokati: A ju ka vizituar ndonjë nga familjarët e Laert Haxhisë?

Dëshmitari: Jo.

Avokati: Pse mendoni që e ka bërë Laert Haxhia?

Dëshmitari: Jo, nuk jam fare i bindur që ta ketë bërë Laerti. Nuk e besoj fare.

Avokati: Deklaruat që Tafani konsumonte drogë?

Dëshmitari: Po, konsumonte të gjitha, edhe “të kuqe”. E kam parë vetë në burg, edhe në Burgun e Rrogozhinës.

Avokati: Domethënë, Tafani është një përdorues i rregullt i drogës?

Dëshmitari: Po.

Paraqitet dëshmitari tjetër, Sami Bashaliu, i cili dëshmon për vrasjen e Albi Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit në dhjetor 2021. Prokurori: A ka ndodhur ndonjëherë ndonjë vrasje pranë lokalit tuaj?

Sami Bashaliu: Nja dy ose tri ditë para Vitit të Ri. Ka kohë që ka ndodhur.

Ndërhyn Gjykata me pyetje: Na trego detaje, të lutem.

Dëshmitari: Ishte një makinë e bukur. Dola, pashë rreth e qark, por nuk pashë gjë. U futa brenda, ndeza sobën dhe prisja klientët që vinin për kafe. I ndjeri Bashaliu hyri për të pirë kafe dhe, në momentin që doli, dikush i foli. Bashaliu ktheu kokën dhe u dëgjua zhurma e armës. Ai djali ishte i gjatë, i hollë dhe e kishte mbuluar kokën me maskë. E qëlloi. Djemtë që ishin në lokal u trembën dhe ikën. Ishte një person që qëlloi, por ishin dy persona gjithsej; tjetri qëndroi në makinë.

Gjykata: Na trego më shumë, të lutem. Çfarë mban mend?

Dëshmitari: Ai doli, i foli Bashaliut dhe e qëlloi. Ai që e qëlloi qëndroi aty. Bashaliu ra në tokë. Mua më bënë me dorë të futesha brenda: “Futu brenda, futu brenda”. Nuk bëra zë. I mori çelësat, ndërsa telefonin ia la në vend, nuk e preku. Pastaj ai tjetri i vuri flakën makinës me benzinë dhe u larguan. E keni parasysh, shteti bëri punën e vet.

Prokurori: Mos bëj kështu au-iu. A u mor vesh kush i vrau këta njerëz? Po për tjetrin, a u mor vesh kush e vrau Leonard Bashaliun?

Dëshmitari: …

Prokurori: Po Artan Tafani, ose ndryshe Marius Tafani, a ke dëgjuar?

Dëshmitari: Jo.

Prokurori: Po për Lulezim Spahinë? Po për Laert Haxhiun?

Dëshmitari: Jo, jo, jo. Nuk kam dëgjuar gjë.

Prokurori: Kur e ka frekuentuar për herë të fundit i ndjeri Albi Bashaliu lokalin?

Dëshmitari: Një natë më parë. Të nesërmen ndodhi ngjarja. Ka qenë rreth orës 19:00, mbase.

Prokurori: E përcolle ti nga lokali?

Dëshmitari: Jo. Pse duhet ta përcillja? Ishte rreth orës 23:00, diçka e tillë.

Prokurori: A i njihje personat me të cilët rrinte?

Dëshmitari: Ka ndenjur me njerëzit e fisit tonë, sepse jemi fis i madh.

Prokurori: Pas ndodhjes së ngjarjes, a vinte më në lokal ky Henriko Xhahysa?

Dëshmitari: Jo. Avokati Detar Hysi: Ju shkuat në varrimin e të ndjerit?

Dëshmitari: Po, vajta.

Avokati: Po sot, si janë marrëdhëniet?

Dëshmitari: Shumë të mira.

Gjykata: Me përshkrimin fizik të dy personave, a mbani mend ndonjë karakteristikë të tyre? A i mbani mend këta persona?

Dëshmitari: Kanë qenë dy persona. Ai që bëri vrasjen ishte i gjatë dhe i hollë, ndërsa tjetri ishte pak më i shkurtër. Ata kishin kapele dhe maska Covid-i.

Gjykata: Ndonjë element të veçantë?

Dëshmitari: Jo, nuk pashë gjë tjetër.

Gjykata: Prokuror, a keni pyetje tjetër?

Prokurori: Nëse do të të jepej rasti t’i shikoje këta persona, sipas përshkrimit që bëre, të gjatin dhe të hollin, a do të ishe në gjendje t’i përshkruaje? A do të thoshe dot: “Ky person ka qëlluar me armë”?

Dëshmitari: Vallahi, nuk e përcaktoj dot.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e cila po ndjek gjyqin, paraqitet dëshmitari tjetër, Veiz Bashaliu, i cili dëshmon për të njëjtën vrasje, atë të Albi Bashaliut. Prokurori: Zoti Veiz, do të dëshironim një shpjegim tuajin për vrasjen e Albi Bashaliut në dhjetor të vitit 2021. Do të dëshironim të dinim ku ndodheshit atë ditë?

Ndërhyn Gjykata: Dëshmitar, na rrëfe çfarë mban mend.

Dëshmitari: Ishte mëngjes dhe ne ishim duke pirë kafe kur dëgjuam krisma. Ishte një person me kapele, ndërsa ai me maskë ishte pranë viktimës. Unë u tremba dhe ika.

Gjykata: Prokuror, ke pyetje?

Dëshmitari: Me Samiun dhe Mikelin. Ka qenë lokali plot, sepse ishte mëngjes.

Prokurori: Kush iu afrua dhe e qëlloi i pari?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurori: A tha ndonjë person që dikush ishte me armë, apo dikush po shtynte dikë? Ti thua se u trembët, por si u trembët?

Dëshmitari: Po çfarë të bëja? Normale që u tremba. Pse, si të duket ty?

Prokurori: Po si u trembe ti?

Dëshmitari: Jo vetëm që u tremba, por ika me vrap nga ullishta dhe shkova te nusja e xhaxhait.

Prokurori: Po u qetësove pastaj?

Dëshmitari: U thashë atyre aty: “Kështu dhe kështu ndodhi.”

Prokurori: A pate rast të shihje makinën apo ndonjë gjë tjetër?

Dëshmitari: Kur u ktheva nga nusja e xhaxhait, pashë makinën që po digjej.

Prokurori: Çfarë ishte kjo makinë që po digjej?

Dëshmitari: Makinë pra. Prokurori: Kush e dogji këtë makinë?

Dëshmitari: Ku di gjë unë.

Prokurori: A harrove gjë?

Dëshmitari: Jo, nuk harrova gjë.

Paraqitet dëshmitari tjetër, Mikel Xhaja, i cili ishte arrestuar pas ngjarjes së bashku me Veiz Bashaliun, nën akuzën e prishjes së provave në lidhje me vrasjen e Albi Bashaliut.

Prokurori: Zoti Mikel, a e keni njohur Albi Bashaliun, të ndjerin, prej kaq kohësh?

Mikel Xhaja: Po, e kam bashkëfshatar. E kam njohur normalisht, si gjithë të tjerët.

Prokurori: Si normalisht, si gjithë të tjerët?

Dëshmitari: Si gjithë të tjerët, pra në fshat.

Prokurori: Po Henriko Xhahysën?

Dëshmitari: Normalisht, si bashkëfshatar edhe atë.

Prokurori: Ky bashkëfshatar ka vrarë dikë?

Dëshmitari: Po, ka vrarë një Ylber Xhahysa.

Prokurori: Kur e ka vrarë, në kohën e Enverit apo të demokracisë?

Dëshmitari: Nuk e di.

Prokurori: Po nga e di që ka ndodhur?

Dëshmitari: Sepse jam në fshat. Përveç kësaj, kam qenë jashtë vendit.

Prokurori: Kur ke qenë jashtë vendit ti?

Dëshmitari: Kur ka ndodhur kjo vrasje, pra nuk kam qenë në Shqipëri.

Prokurori: Po kur është vrarë Albi Bashaliu, ku ke qenë?

Dëshmitari: Në Shqipëri.

Prokurori: Ku u ndodhët kur u mor vesh vrasja e Albi Bashaliut? Në çfarë ore të ditës e more vesh?

Dëshmitari: Paradite isha në fshat, isha duke pirë kafe.

Prokurori: Sa kafe ka fshati?

Dëshmitari: Mbase dy.

Prokurori: Pra, po fillon të flasësh, po të kujtohen?

Avokati: Prokuror, bëje pyetjen drejtpërdrejt. Pyete nëse ka qenë në vendngjarje.

Ndërhyn Gjykata: Je i lutur të na tregosh çfarë pe.

Dëshmitari: E vranë me armë zjarri. Nuk i njoha. Ata ishin me kapele dhe maska.

Gjykata: Vetëm një person ishte?

Dëshmitari: Ishin dy persona. I dyti ishte në distancë.

Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, e pranishme në sallën e gjyqit, paraqitet dëshmitari Leonard Bashaliu, i cili sillet me pranga nga efektivët e Policisë së Burgjeve. Leonard Bashaliu ndodhet në burg, pasi është i akuzuar për vrasjen e Ylber Xhahysës në vitin 2021 në Peqin. Ai dëshmon në këtë proces në cilësinë e vëllait të viktimës Albi Bashaliu.

Gjykata: A jeni i dënuar?

Leonard Bashaliu: Po, për vrasjen e Ylber Xhahysës.

Gjykata: Ju jeni në cilësinë e vëllait të viktimës Albi Bashaliut.

Dëshmitari: A kam të drejtë të mos flas? Sepse kam folur njëherë.

Prokurori: Ke qenë në gjyqin ndaj disa të pandehurve të tjerë, dëgjo njëherë. Kur e vranë vëllain tuaj?

Dëshmitari: Dy ose tre ditë para Vitit të Ri.

Prokurori: Në këtë datë ju keni qenë i paraburgosur?

Dëshmitari: Po, isha në Bradashesh. E mora vesh nga televizioni.

Prokurori: Me të marrë vesh nga televizioni, a kërkove takim me familjarët?

Dëshmitari: Si qysh? Nuk kam qenë mirë nga gjendja psikologjike që nga ai moment. Ka ardhur mami, erdhi të më shikonte se si isha me shëndet.

Prokurori: U fol për ngjarjen?

Dëshmitari: Fare, fare. Unë jo, po edhe plaka… Çfarë do të flisnim?

Prokurori: A keni ndonjë ide se kush mund ta ketë vrarë vëllain tuaj?

Dëshmitari: Sinqerisht, nuk e di.

Avokatët dhe Gjykata: Riformulo pyetjen, prokuror.

Prokurori: Atëherë, a pohoni ju se ju e keni vrarë atë tjetrin?

Dëshmitari: S’po të kuptoj çfarë thua me “e kam pohuar”.

Gjykata: Riformuloje pyetjen.

Prokurori: A keni deklaruar në gjykatë se e keni vrarë Xhahysën?

Dëshmitari: Po, e kam pranuar. Jam penduar, jam dënuar.

Prokurori: A ka lënë trashëgimtarë ai?

Dëshmitari: Po, ka.

Prokurori: Sa bukur e ditke që ka trashëgimtarë. A ua di emrin atyre?

Dëshmitari: Riku, më duket se quhet. Ashtu quhet, prokuror?

(Avokati qesh.)

Gjykata: A i njihni?

Dëshmitari: I kam lënë të vegjël.

Dëshmitari: Roshi, Roshi… s’ia di zyrtarisht.

Prokurori: S’di ta thuash, domethënë?

Prokurori: A ka ardhur ndonjë sinjal se kush e ka vrarë vëllain, domethënë dikush të të ketë thënë: “Shiko, ta ka vrarë filani”?

Dëshmitari: Jo, unë jam në burg.

Ndërhyn Gjykata: A jeni interesuar se kush e vrau Albin?

Dëshmitari: Jo. Unë jam pa përkrahje, i përkas klasës punëtore. S’njoh asnjë, jam pa përkrahje. Më vranë vëllanë.

Pasi dëshmitari largohet nga salla e gjyqit, prokurori kundërshton dëshminë e tij dhe lexon një pjesë nga deklarimi i mëparshëm i Leonard Bashaliut.

Prokurori: Në deklarimin e tij, ai ka thënë: “Jam 100 për qind i sigurt që vrasja e vëllait më ka ndodhur për gjakmarrje.”

Gjykata: Po pse ka qenë i sigurt? A i është bërë kjo pyetje në procesverbal?

Prokurori: Kjo është puna e organeve tona hetimore. E ka pyetur oficeri i policisë gjyqësore në këtë mënyrë. Top Channel