Lajme Zone
Gjykata spanjolle nis hetimet ndaj Julio Iglesias! Dy ish-punonjëse e akuzojnë për abuzim seksual në vilat e tij në Karaibe
BotëGazeta Tema

Gjykata spanjolle nis hetimet ndaj Julio Iglesias! Dy ish-punonjëse e akuzojnë për abuzim seksual në vilat e tij në Karaibe

Gjykata Kombëtare e Spanjës ka nisur një hetim penal ndaj këngëtarit të njohur Julio Iglesias, pas akuzave të dy ish-punonjëseve të tij për abuzim seksual, dhunë fizike dhe trajtim poshtërues në pronat e tij në Karaibe.

Gjykata Kombëtare e Spanjës ka nisur një hetim penal ndaj këngëtarit të njohur Julio Iglesias, pas akuzave të dy ish-punonjëseve të tij për abuzim seksual, dhunë fizike dhe trajtim poshtërues në pronat e tij në Karaibe.

Lajmi është raportuar më 18 nëntor nga mediat ndërkombëtare “Reuters”, “The Guardian” dhe “Associated Press”, të cilat bëjnë me dije se vendimi i gjykatës vjen pothuajse 11 muaj pasi prokuroria spanjolle kishte mbyllur çështjen, me argumentin se ngjarjet e pretenduara kishin ndodhur jashtë territorit të Spanjës.

Megjithatë, organizata për të drejtat e njeriut “Women’s Link Worldwide”, e cila përfaqëson dy gratë, paraqiti një kallëzim të ri penal më 3 shtator, duke argumentuar se shtetësia spanjolle e Iglesias përbën bazë të mjaftueshme që çështja të shqyrtohet nga drejtësia spanjolle.

Akuzat u bënë publike në janar të këtij viti, pas një hetimi trevjeçar të përbashkët nga portali spanjoll “elDiario.es” dhe televizioni “Univision Noticias”. Gazetarët mblodhën dëshmitë e 15 ish-punonjësve që kishin punuar për këngëtarin, tashmë 83 vjeç, nga fundi i viteve 1990 deri në vitin 2023.

Dy gratë që kanë paraqitur kallëzimin, një punonjëse shtëpie dhe një fizioterapiste, kishin punuar në vilat e Iglesias në Republikën Dominikane dhe Bahamas. Ato pretendojnë se gjatë vitit 2021 janë përballur me prekje të papërshtatshme, fyerje dhe poshtërime, në një atmosferë kontrolli dhe ngacmimi të vazhdueshëm.

Në vendimin e saj, Gjykata Kombëtare njoftoi se po heton pretendimet për vepra penale kundër lirisë seksuale, dëmtime trupore dhe trajtim poshtërues.

Gjyqtari hetues Antonio Piña vlerësoi se provat paraprake të paraqitura nga njëra prej grave ishin të mjaftueshme për të nisur procedimin. Mes tyre përmenden edhe fotografi ku shihen mavijosje në krah dhe shenja në kofshë, të cilat, sipas gjykatës, mund të përputhen me përshkrimin e ngjarjeve në kallëzim.

Megjithatë, gjyqtari theksoi se nisja e hetimeve nuk përbën një vlerësim mbi besueshmërinë e akuzave apo fajësinë e këngëtarit.

Nga ana tjetër, gjykata nuk pranoi pretendimet për trafikim njerëzor dhe shkelje të të drejtave të punëtorëve, ndërsa vuri në dukje se disa prej veprave të pretenduara mund të jenë parashkruar.

Dy ish-punonjëset janë thirrur të dëshmojnë personalisht në gjykatë më 3 shkurt 2027.

Julio Iglesias i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si të pavërteta. Këngëtari ka deklaruar se do të mbrohet ndaj asaj që e ka quajtur “një fyerje të rëndë”.

Artisti spanjoll është një prej emrave më të suksesshëm të muzikës ndërkombëtare, me më shumë se 300 milionë disqe të shitura gjatë karrierës së tij gjashtëdekadëshe. Ai është gjithashtu babai i këngëtarit të njohur Enrique Iglesias.