Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të mos miratojë projektligjin për pagat e magjistratëve në seancën plenare të 17 shtatorit, duke kundërshtuar mënyrën se si është zhvilluar procedura parlamentare dhe duke argumentuar se në tekstin e propozuar nuk është reflektuar në përmbajtje arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese. Në një reagim publik, Gjykata e Lartë shprehet se konsultimi me përfaqësuesit e gjyqësorit nuk ka qenë efektiv dhe se shqetësimet e ngritura prej tyre nuk kanë gjetur reflektim në projektligjin që pritet të votohet. Sipas Gjykatës së Lartë, përfaqësuesit e gjyqësorit janë njoftuar më pak se dy orë përpara për t’u paraqitur në Komisionin për Çështjet Ligjore. Pavarësisht afatit të shkurtër, ata morën pjesë në dëgjesë, duke vlerësuar rëndësinë e situatës dhe përgjegjësinë institucionale. Gjykata thekson se kishte përcjellë përmes Këshillit të Lartë Gjyqësor në Kuvend një opinion të plotë juridik dhe kushtetues, ku ngriheshin disa çështje që prekin sistemin gjyqësor në tërësi. Mes tyre përmenden paga referuese dhe raporti i saj me koeficientin 0.38 të pagës së Presidentit të Republikës, efektet pas datës 31 korrik 2026, trajtimi i pagave të prapambetura dhe ruajtja e hierarkisë së pagave brenda sistemit gjyqësor. Gjykata kundërshton gjithashtu mënyrën e zhvillimit të dëgjesës në Komisionin për Çështjet Ligjore. Sipas saj, përfaqësuesve të gjyqësorit nuk iu vunë në dispozicion të gjitha amendamentet që ndryshonin projektligjin dhe as informacioni i plotë mbi opinionin financiar të Qeverisë. “Dëgjesa nuk solli asnjë reflektim të dukshëm mbi argumentet e paraqitura”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë. Sipas institucionit, konsultimi me pushtetin gjyqësor nuk duhet të mbetet një procedurë formale, por duhet të pasqyrojë shqyrtimin real të argumenteve të paraqitura. Në reagimin e saj, Gjykata e Lartë i referohet edhe vendimit nr. 15/2026 të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se ai nuk duhet vetëm të citohet në mënyrë formale, por arsyetimi i tij kushtetues duhet të reflektohet në përmbajtjen e ndërhyrjes së re ligjore. “Nga një komision parlamentar që shqyrton kushtetutshmërinë dhe cilësinë juridike të legjislacionit pritet jo thjesht të citojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese, por të analizojë dhe të reflektojë arsyetimin e tij në normën që propozon për votim”, thuhet në deklaratë. Në përfundim, Gjykata e Lartë i kërkon Kuvendit të mos e kalojë për shqyrtim dhe miratim në seancën plenare të 17 shtatorit projektligjin në formën që ndodhet aktualisht.
