Përpara se emri i tij të lidhej në mënyrë të përgjakshme me gjenocidin në Srebrenicë dhe rrethimin e Sarajevës, Ratko Mladiçi e nisi rrugëtimin drejt luftës mu në Kroaci. Në verën e vitit 1991, si komandant i Korpusit të 9-të të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Knin, ai kishte një objektiv strategjik: të merrte Shibenikun, të dilte në Adriatik dhe ta ndante Kroacinë më dysh. Por në hyrje të Shibenikut, përballë tij u gjend Rahim Ademi, gjenerali me origjinë shqiptare që kishte braktisur Ushtrinë Popullore Jugosllave dhe ishte bashkuar me forcat kroate. Forcat e Mlladiçit, të pajisura me tanke dhe armatime të rënda, kishin arritur deri pranë urës së Shibenikut në shtator të vitit 1991. Nëse qyteti binte, përpara tyre do të hapeshin rrugët drejt Splitit dhe pjesës jugore të Dalmacisë. Sipas Ademit, rreziku nuk lidhej vetëm me humbjen e një qyteti, por me fatin e gjithë rajonit. LEXO EDHE:Akuza për luftë hibride, Rama kërkon sqarime në Podgoricë! Televizioni publik malazez: Spajiç nuk e kishte për Shqipërinë! Ja kush e financon gazetën 'Vijesti' Në atë kohë, mbrojtësit kroatë kishin shumë pak armë për t’u përballur me një ushtri të modernizuar. Ademi organizoi marrjen e kazermës së Rogoznicës, ku forcat e tij siguruan topa dhe armatime të rënda. Brenda një nate u ngritën bateritë e artilerisë dhe u vendos vija e mbrojtjes përpara Shibenikut. “Ne nuk kishim me çfarë të mbroheshim. Organizova marrjen e kazermës në Rogoznicë, ku siguruam armë të rënda dhe topa. Brenda natës formuam bateritë e artilerisë dhe vendosëm mbrojtjen përpara Shibenikut. Kështu e mbrojtëm qytetin”, tregonte Ademi në një intervistë për Al Jazeera në vitin 2017. Forcat kroate jo vetëm ndalën përparimin e Mlladiçit, por e shtynë vijën e frontit rreth 25 kilometra përtej Vodicës dhe arritën të zhbllokonin Shibenikun. Ademi e konsideron këtë përballje humbjen e parë ushtarake të Mlladiçit në Kroaci dhe një nga fitoret më të rëndësishme të Ushtrisë Kroate. “Ky ishte dështimi i tij. Si ushtar, e konsideroj mbrojtjen e Shibenikut fitoren më të madhe dhe të parën të Ushtrisë Kroate në Luftën për Pavarësi”, shprehej ai. Përballja mes tyre nuk përfi në Shibenik. Kur Ademi komandonte Brigadën e 126-të në Sinj, forcat e Mlladiçit nuk arritën t’i afroheshin digës së Peruçës. Shkatërrimi i saj mund të rrezikonte jetën e më shumë se 50 mijë njerëzve. Diga u minua më vonë, pasi Ademi ishte larguar nga drejtimi i brigadës. Dy komandantët nuk u takuan kurrë ballë për ballë. “Falë Zotit”, thoshte Ademi, duke shtuar se gjatë luftës ishin parë vetëm “përmes shënjestrës së armëve”. Vlerësimi i tij për aftësitë ushtarake të Mlladiçit ishte po aq i prerë sa rezistenca që i bëri në fushën e betejës. “Mund të them se ai nuk ishte aspak ushtar. Aftësitë e tij luftarake nuk i tregoi kurrë. ‘Trimërinë’ e tregoi vetëm ndaj civilëve të pafajshëm, duke vrarë njerëz të paarmatosur. Në beteja ishte gjithmonë një humbës i madh”, deklaronte Ademi. Sipas gjeneralit me origjinë shqiptare, figura e vërtetë e Mlladiçit nuk duhet kërkuar te fitoret ushtarake, por te masakrat kundër popullsisë civile. “Ajo që ishte si njeri shihet më së miri në Shkabërnjë, ku vrau civilë, dhe në Srebrenicë. Kur gjente civilë të paarmatosur, dërgonte tanket dhe kryente krime. Kur haste rezistencën e Ushtrisë Kroate, tërhiqej”, shprehej ai. Edhe gjenerali kroat Petar Stipetić, i cili kishte shërbyer më parë në Ushtrinë Popullore Jugosllave, e kundërshtonte portretizimin e Mladiçit si strateg ushtarak. Ai kujtonte se forcat e tij u ndalën pranë Zadarit dhe Shibenikut, ndërsa sukseset i arritën në zonat ku nuk kishte ushtri të organizuar për t’i kundërshtuar. “Çfarë aftësish ushtarake? Të sulmosh me armë një popullsi të paarmatosur? Ai u dallua për krimet e tij. Këto janë ‘meritat’ e tij”, deklaronte Stipetić. Vdekja e Ratko Mlladiçit mbylli jetën e një prej figurave më të errëta të luftërave në ish-Jugosllavi, por jo historinë e krimeve të tij. Përpara Srebrenicës dhe Sarajevës ishte Kroacia; dhe përpara se të ndërtonte mitin e 'kasapit të Bosnjës', në Shibenik atij 'iu thyen dhëmbët' nga forcat e drejtuara prej një gjenerali shqiptar./Nacional U.D/SI.E./Shqiptarja.com TAG: Ratko Mladiç rahim ademi Kroaci Dalmaci jugosllavi Shibenik Sa e vlerësoni këtë artikull? ★ ★ ★ ★ ★ 4.6 / 5 (9 vlerësime) Faleminderit! LAJMET MË TË VLERËSUARA Komente Komento Sondazhi i ditës:
24 Gusht, 21:21
Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama? Mirë 52.4% Keq 34.8% Nuk e di 12.7% Vota total: 5645 Votat totale janë unike Sondazhi i ditës: 24 Gusht, 21:21 Si ju duket plani i qeverisjes i paraqitur në Pogradec nga Rama?
