Dy persona, babë e bir, janë vënë në pranga në Fushë Arrëz, pasi dyshohet se kanë kultivuar 172 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, pranë banesës së tyre në fshatin Berishë. Policia e Pukës njofton se arrestimi i 59-vjeçarit T. M. dhe djalit të tij, 24-vjeçarit Y. M., u bë në kuadër të operacionit të koduar “Territor i Pastër”. Shërbimet e Policisë kanë intensifikuar kontrollet në terren dhe, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë evidentuar rastin e kultivimit të bimëve narkotike. Sipas Policisë, 172 bimët e dyshuara narkotike janë gjetur në afërsi të banesës së dy të arrestuarve. Një pjesë e tyre u sekuestrua si provë materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me djegie. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
